Bartësi i listës për këshilltarë të Bashkimit Demokratik për Integrim për Qytetin e Shkupit, Besnik Ajeti, sot në një takim me gazetarët i prezantoi prioritetet që do t’i realizojnë si pjesë e Këshillit të Qytetit.

Ndarja proporcionale e buxhetit, përfaqësimi i drejtë dhe adekuat dhe shumë projekte të tjera, potencoi Ajeti, janë pjesë e programit të BDI-së për Qytetin e Shkupit.

“Bashkë kemi arritur shumë, kemi realizuar shumë projekte, falë përkrahjes suaj të fuqishme. Qëllimi përfundimtar ende nuk është arritur, kemi ende punë për të bërë. Edhe shumë projekte që presin përfundimin. Me ndihmën tuaj në zotohemi t’i shtyjmë përpara të gjitha projektet, zotohemi që do të përmbushim çdo premtim ndaj jush, edhe atë: ndarjen proporcionale të buxhetit të qytetit, përfaqësimin e drejtë dhe adekuat i shqiptarëve në punësime, ndarjen e menaxhimit me institucionet në kompetenca të Qytetit, mbështetjen e sektorit civil, përkrahjen e projekteve të komunave ku gravitojnë-shqiptarët, zhvillimin ekonomik dhe infrastrukturor”, tha Ajeti.

Të gjitha këto projekte, shtoi, dhe shumë të tjera në mënyrë të detajuar do të prazantohen para qytetarëve të Çairit, Sarajit, Gazi Babës, Karposhit, Butelit, Shuto Orizares.

“Bashkë me ju mund të arrijmë shumë më tepër në Qytetin e Shkupit, por neve na duhet përqendrimi i votës, jo përçarja sepse të ndarë jemi më të dobët, ndërsa të bashkuar jemi më të fortë”, tha bartësi i listës së këshiltlarëve të BDIS-së për Qytetin e Shkupit.

Në këtë rast u prezantuan edhe kandidatët tjerë të listës për këshilltarë të Bashkimit Demokratik për Integrim për qytetin e Shkupit.