Lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim Ali Ahmeti në kuadër të vizitës së tij në komunën e Çairit, në përkrahje të kandidaturës së Visar Ganiut ka ndaluar edhe në Shtabin zgjedhor – Dega Çair. Në këtë takim me anëtarë të strukturave drejtuese, përfaqësues të Forumit të gruas, Forumit rinor, aktivistë e simpatizantë, por edhe qytetarë të rastit, Ahmeti përpara qindra vetëve ai ka përsëritur se fitorja e së dielës në Çair është fitorja për Shkupin e Vjetër dhe se rezultati i raundit të dytë të zgjedhjeve do të tregojë se BDI është forca më e madhe politike në vend, subjekti politik tek të cilët besojnë të gjithë dhe tek një e ardhme më e mirë.

“Duke votuar për Visar Ganiun qytetarët e Çairit votojnë për të ardhmen e tyre. Le të ndërtojmë ardhmërinë. Këtu me mua janë djemtë e përkushtuar, këtu me mua janë djemtë që vërtetë dinë sesi  të ndërtojnë të ardhmen. Këtu me mua është Visari dhe të gjithë ju. Ju jeni ato që do të votoni, do të vendosni dhe do thirrni të gjithë ato që s’janë me ne se ardhmëria ndërtohet me Visar Ganiun. Visari ka mbështetjen e parezervë të të gjitha institucioneve të shtetit, përkrahjen e parezervë të të gjithë kuvendarëve dhe përkrahjen e parezervë të BDI-së dhe përkrahjen e parezervë prej meje ”, – ka deklaruar Ahmeti.

Duke  përshëndetur kandidatin Visar Ganiu, dhe fushatën korrekte dhe më përkushtim të zhvilluar prej tij, lideri Ahmeti ka theksuar se duhet të kenë besim tek fitorja e merituar në këto zgjedhje.