Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim të dielën ka qëndruar në anën e Strugës me ç’rast në disa takime të mbajtura ka nënvizuar se fitorja e Ramiz Merkos, të dielën, do të jetë fitore e gjithë qytetarëve të kësaj komune.
Në tubimin e mbajtur në Strugë u tha se përderisa opononentë lëshojnë llafe të mëdha, është BDI-ja ajo që i po bën – punë të mëdha.
Asim Musa, shef i shtabit lokal duke folur për aktivitetin e deritashëm tha se kandidatët e BDI-së me në krye z. Ramiz Merko, por dhe veprimtarët e shumtë, krahas ofertës së paraqitur po evidencojnë edhe të gjitha shqetësimet dhe kërkesat e elektoratit me qëllim që ato të inkorporohen në programin e ardhshëm katërvjeçar të qeverisjes lokale:
‘Tashmë dalngadalë punët po i ndajmë – ne do të merremi me punë, ata të tjerët le të vazhdojnë me fjalë,’- tha z. Musa në sallën e mbushur përplotë buzë Liqenit të Strugës.
Duke iu drejtuar të pranishmëve kandidati për kryetar, Ramiz Merko, i bindur se në zgjedhjet e 15 Tetorit, BDI-ja do ta rikthejë pushtetin në Komunë, u shpreh se vijmë të udhëheqim me institucionin, por për ineteresat e qytetarëve, të të gjitha grup-moshave, të biznesit, të arsimit, shëndetësisë, për një ambient më të mirë e më të pastërt të jetesës, për zhvillimin e turizmit, për uljen e papunësisë dhe për një mirëqenie më të mirë. Gjithë kjo do të bëhet me transparencë dhe llogaridhënie:
‘Ne do të qeverisim ashtu siç e don popullata – për çdo projekt do të konsultohemi me qytetarët dhe vendimet e përbashkëta do t’i realizojmë,’- tha Merko.
Duke marrë fjalën, kryetari Ali Ahmeti, tha se Bashkimi Demokratik për Integrim vazhdon të mbetet zëdhënësi dhe mbrojtësi kryesor i kauzës shqiptare në Maqedoni:
‘Ne me kohë parashikuam projektet, orientimet. Kur tham që do bëhet kryetari i Parlamentit shqiptar – u tha – u bë! U thamë që tani është momenti që gjuha shqipe të jetë zyrtare dhe e barabartë në Republikën e Maqedonisë dhe që duhet mbyllur ky kapitull kaq i rëndësishëm nga Marrëveshja paqesore – u tha u bë!’- rikujtoi kryetari Ahmeti dhe më pas shtroi nevojën e forcimit të stabilitetit e të paqes në vend gjë që, nënvizoi ai, mund të arrihet  me çuarjen përpara të reformave  e vendosjes së shtetit të së drejtës dhe me anëtarësimin në BE dhe në NATO. Aderimi në këto struktura përfundimisht do të shmangte ndikimin e Rusisë në Ballkan, – tha lideri i shqiptarëve në Maqedoni duke u angazhuar për forcimin edhe të marrëdhënieve me fqinjët.