Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti nga Kumanova theksoi se BDI nuk ka kandidat për kryetar në këtë komunë, por sipas tij, Kumanova është simbolikë shumë e madhe për të gjithë hapësirat shqiptare.

“Unë kam shkuar gjithandej për të konfirmuar mbështetjen e fortë për të gjithë kandidatët për kryetar komune dhe listat për këshillat komunal dhe asessi nuk mund të qëndroja pa ardhur këtu për të konfirmuar përkrahjen e fortë për listën për këshilltarë dhe bartësin e saj për Kumanovën. Ata kanë përgjegjësi morale dhe kombëtare për jetësim dhe materializim të kërkesave të qytetarëve, andaj ne do të qëndrojmë fortë pas tyre, sepse duke qëndruar fortë, ata kanë mundësi dhe hapësirë për të jetësu programin që kanë.”, theksoi Ali Ahmeti.

Sipas tij,  BDI fitoi në zgjedhjet e kaluara, por nuk ishte e gëzuar sepse humbën tetë mandate.

“Andaj kësaj radhe duhet të punojmë për të mos përçarë votën shqiptare. Sa më të etabluar dhe të organizuar do të jemi më të suksesshëm në planin e brendshëm politik. Të coptur do të jemi të parëndësishëm dhe papërfillshëm.  Këto janë zgjedhjet ku do të pushojnë grahmat e fundit kundër nesh.”, theksoi Ahmeti.

Ai theksoi se zgjedhjet e organizuara gati çdo vit nuk na kanë lënë as të riorganizohemi fuqishëm me strukturat partiake. Por sipas tij, vitin e ardhshëm do të jenë zgjedhjet partiake dhe BDI do të dal e fuqishme.

Ahmeti foli edhe për qeverinë e re duke theksuar se ajo ka për detyrë që të implementojë reformat dhe çështjet që kanë të bëjnë me shqiptarët, për të mbyllur tema që kërkojnë guxim.

Bartësi i listës së këshilltarëve, Fatmir Idrizi theksoi se përcjellë porosinë si bartës se do të angazhohet që  me përkushtimin më të madh të realizojë programin e BDI. “Idealet e tona të formësuara që nga viti 2001 na udhëzojnë drejt qëllimeve fisnike për të realizuar interesat e qytetarëve tanë, duke vazhduar me zhvillimin e përdorimit të gjuhës shqipe, përfaqësimin, infrastrukturë, duke kryer obligimin për arsimin fillor dhe të mesëm për arsimim më të mirë. Të ndihmojmë shoqatat dhe klubet sportive, parku qytetit, shtrati i lumit, gazifikimi.”, theksoi Idrizi.

Ai bëri thirrje që të gjithë shqiptarët më 15 tetor  të rrethojnë numrin 3, për dinjitet, krenari dhe jetë më të mirë. Ahmeti ka biseduar me strukturat partiake në Kumanovë edhe për organizimin e shtabit zgjedhor komunal që drejtohet nga Ilir Saiti, i cili e ka formuar për aktivitetet e realizuara deri tani dhe siç theksoi për fitoren që do të shënohet më 15 tetor.