Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, z. Ali Ahmeti, ka deklaruar se BDI-ja ishte dhe mbetet çelësi i zgjidhjes dhe çuarjes përpara të proceseve me interes kombëtar dhe për mbarë vendin.

Duke folur në një takim me strukturat partiake dhe shtabet zgjedhore të Komunës së Zhelinës, lideri i shqiptarëve në Maqedoni tha se edhe në raundin e parë të zgjedhjeve lokale të 15 tetorit, BDI-ja u dëshmua se është forcë e suksesit dhe optimizmit, duke u dhënë përgjigjen më të mirë atyre të cilët pandehën se fitorja do të jetë e tyre: ‘Ne mbetemi forca më e organizuar dhe ju anëtarë të devotshëm  të BDI-së jeni çelësi i suksesit,’- deklaroi z. Ahmeti duke shprehur bindjen se më 29 Tetor, në raundin e dytë, Fatmir Izairi do të jetë kryetar i komunës së Zhelinës: ‘BDI-ja nuk ndanë e as përçanë. Ne jemi parti e bashkëpunimit dhe bashkëveprimit dhe nuk dyshoj që Fatmiri do t’ia dalë  që gjatë mandatit të ardhshëm të rrumbullakojë projektet në të mirë të të gjithë qytetarëve të kësaj ane,’- tha kryetari Ahmeti.

Në të njëjtën frymë, edhe Fatmir Izairi tha se në punën e tij të deritashme, pushteti lokal, i drejtuar prej tij, nuk ka bërë kurrfarë ndasish për çka me të madhe po truzmbetojnë oponentët e tij politik. Izari bëri thirrje që të dielën dalja në votime të jetë sa më e madhe në mënyrë që edhe fitorja të jetë bindëse.