Duhet të shkundemi nga gjërat e këqija dhe t’i orientojmë proceset drejt zhvillimit, si proceset politike dhe ato eurointegruese. Me sharje dhe ofendime nuk bëhet asgjë, por me përpjekje dhe punë duhet ta ndryshojmë mentalitetin dhe gjendjen tonë…, ka thënë lideri i shqiptarëve të Maqedonisë, Ali Ahmeti në një intervistë për emisionin “Zigzag” në Art Channel.
“Bashkimi Demokratik për Integrim ka ofertën më të mirë dhe nga ofertat, unë pres që besueshmëria ndaj partisë sonë të jetë shumë më e madhe, mëgjithëse këtë do ta provojë 15 tetor. Mendoj që jo vetëm që do të ruhet numri i komunave që kemi qeverisur ne, por ky numër ka mundësi reale që edhe të rritet dhe ne bëjmë përpjekje ta arrijmë synimin dhe qëllimin tonë. bëhet shumë punë me elektoratin dhe kemi ndryshuar tërësisht filozofinë e veprimit – ne nuk i thërrasim njerëzit, por shkojmë tek ata ku i dëgjojnë ofertat dhe programet nga kandidatët dhe këshilltarët”, ka thënë Ahmeti, duke siguruar se BDI të dielën, pret një fitore edhe më të thellë sesa në zgjedhjet e mëparshme.
“Unë besoj tek bashkëpunëtorët dhe kandidaturat e qëlluara dhe programi që mbrojnë dhe që paraqesin te elektorati. Programet janë marrëveshje për të cilën BDI ka dhënë prova në historinë e saj për më shumë se një dekadë, sepse nuk i kemi zhgënjyer shqiptarët, nuk i devijuam të së vërtetës”, ka thënë Ahmeti.