Kryetari i Bashkimit Demkratik për Integrim, Ali Ahmeti, me bashkëpunëtorë, ka qëndruar të marten pas dite në komunën e Bogovinës për të përgëzuar Shtabin Komunal për punën që po bën me qëllim që në zgjedhjet e së dielës të sigurohet një fitore sa më bindëse e kandidatit Berzah Bejtullahu-Xaki. ‘Nuk kam ardhur këtu për t’ju bërë moral, sepse ju këtë e keni pasur dhe e keni. Kam ardhur që t’ju them se jemi forca më e mbështetur, më e votuara, më e përkrahura, nga Struga e deri në Likovë e Kumanovë!’- tha kryetari Ahmeti  duke bërë thirrje për angazhimin me përkushtim të të gjitha strukturave partiake me qëllim 1ë më 29 Tetor të sigurohet një fitore bindëse me interes për të gjithë qytetarët e Bogovinës. Njëherësh, zoti Ahmeti vlerësoi se oponentët edhe në këtë anë kanë dalur pa programe e pa vizione për të ardhmen: ‘BDI-ja ka punuar e po punon për qëndrueshmëri politike në shkallë vendi dhe kjo është garanci se puna e pushtetit lokal gjatë mandatit të ardhshëm ka për të qenë edhe më e suksesshme’.

Gjatë qëndrimit në Bogovinë, lideri i shqiptarëve në Maqedoni, vizitoi edhe familjen e kryetarit të ndjerë të kësaj komune, Hazbi Idrizi.

I pari i BDI-së ka qëndruar edhe në fshatin Pirok ku përpara të pranishmëve është angazhuar që edhe raundi i dytë i zgjedhjeve lokale të kalojë i qetë, pa ndarje e përçarje, për bashkim të njerëzve e ballafaqim të programeve e ideve: ‘Vlerat ndërtohen nga vlerat dhe ne nuk duam të prodhojmë antivlera në hapësirat tona,’- tha z. Ahmeti duke rikujtuar se BDI-ja që nga themelimi e deri më sot ka investuar në krijimin e kuadrove që janë bërë dalëzotës të çështjes shqiptare dhe të detyrave më me përgjegjësi në nivel shteti: ‘Ne jemi njerëz që kemi krijuar identitet e dinjitet kombëtar, të respektuar gjithandej. Jo përçarës, por afrues, jo grindavecë, por bashkues!’- nënvizoi kryetari Ahmeti duke vlerësuar se koalicioni i ri pas raundit të parë i opozitës është koalicion për shpëtimin e vetevetes.