Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, në kuadër të bashkëbisedimit me anëtarë, sipatizantë të partisë si dhe me qytetarë, të shtunën qëndroi në komunën e Bërvenicës me ç’rast arsyetoi qëndrimin e BDI-së që në këtë komunë të konkurohet vetëm me listë këshilltarësh e të mbështetet kandidati i pavarur, Enver Pajaziti.

Ne vlerësuam se boll shqiptarët copëtohen. Ne nuk deshëm të jemi pjesë e copëtimit. Tash e sa kohë ne po bëjmë thirrje për bashkimin e shqiptarëve, sepse të copëtuar vërtet dobësohen, nuk janë të rëndësishëm. Ne nuk dëshiruam të jemi në shërbim të fragmentarizimit të votës së shqiptarëve,’- tha lideri i shqiptarëve në Maqedoni duke siguruar të pranishmit se BDI do të çojë përpara projektet për investime në infrastrukturën rrugore, atë shkollore, për zgjidhjen e problemit të ujërave të zeza si dhe të  ujitjes, edhe në këto anë dhe përgjithësisht në Rrafshin e Pollogut.

Kreu i BDI-së, me këtë rast u është përgjigjur shqetësimeve të ngritura nga qytetarët lidhur me disa probleme aktuale, në radhë të parë lidhur me arsimin. Sipas tij, cilësia në arsim është shqetësim në nivel kombëtar dhe duhet bërë çmos për avancimin e arsimit, duhet të kemi qasje serioze për rritjen e cilësisë në të gjitha shkalllët e shkollimit – nga ai fillor e deri në atë të lartë, duke siguruar edhe bursa sidomos për krijimin e kuadrit arsimor fillor. 

Ndërkaq, i pyetur për zvarritjen e regjistrimit të popullsisë, kryetari BDI-s, Ali Ahmeti, tha se çështja është problematizuar dhe politizuar pa nevojë. Tendencat e qarqeve nacionaliste për uljen e përqindjes aktuale të shqiptarëve, z. Ahmeti i cilësoi si synim për të vënë në dyshim Marrëveshjen e Ohrit që ka të bëjë me entitetin që ka mbi 20 për qind, – tha ai  duke bërë publik angazhimin që në Entin Shtetëror të Statistikës të përfshihen edhe ekspertë shqiptarë – në sektorin e përpunimit të të dhënave, në mënyrë që ato të jenë të besueshme. 

Lideri i BDI-së, po ashtu  rikujtoi se duhet të përcaktohet qartë se çfarë regjistrimi duhet bërë dhe që të merren parasysh standardet e Eurostatit, si një mekanizëm që kontrollon regjistrimet e që nuk pranon regjistrim të popullatës jorezidente

Sidoqoftë, kreu i BDI-së tha se aktualisht nuk mund të thuhet se nuk dihet se sa jemi, institucionet e dijnë fare mirë dhe pranadaj kjo nuk duhet të jetë çështje që duhet t’i përplas shqiptarët dhe maqedonasit.