Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryetar të Prishtinës, Arban Abrashi, gjatë një takimi me banorët e Hajvalisë, ka thënë të dielën se plani i tij zhvillimor për këtë zonë parasheh mbulimin e kolektorit të ujërave të zeza, ndërtimin e një qendre rekreative sportive, një qendër të kulturës, asfaltimin e të gjitha rrugicave me infrastrukturë përcjellëse dhe rifunksionalizimin e Bashkësisë Lokale për t’i ofruar shërbimet më afër me qytetarët.

“Programi ynë bazohet në nevoja konkrete dhe reale të përcaktuara nga vet banorët dhe ne do të bëjmë të pamundurën qe t’i mbajë këto premtime. E kam përfshirë në projekt kërkesën e parë nga banorët që ishte mbulimi i kolektorit tek lumi Graqanka. Ne do ta bëjmë mbylljen e këtij kolektori dhe gjithë kolektorëve tjerë në mënyre që banorët e Prishtinës të kenë një jetë më të mirë. Do t’i ndërtojmë të gjitha rrugicat me kocka dhe asfalt, ndërsa për nevojat e të rinjve do të ndërtojmë qendër sportive-rekreative për banorët e Hajvalisë”, ka thënë Abrashi.

Ai iu garantoi banorëve të Hajvalisë se do ta rregullojë dhe ndërtojë studionin e Hajvalisë. Abrashi është zotuar se do të bëjë ndërtimin e Shtëpisë së Kulturës në këtë lagje dhe do të aktivizojë Bashkësisë Lokalë në mënyrë që banorët të krijojnë urë lidhëse me komunën dhe ti kenë më të lehta qasjet e tyre në atë bashkësi.

Në Hajvali, Abrashi parasheh rregullimin e lagjes “Kolonia” ku parashihet asfaltimi, rregullimi i rrjetit të kanalizimit dhe trotuari.

Zotim tjetër i Abrashi ishte edhe organizimi i një tregu lokal në mënyrë që bujqit e kësaj zone ta kenë më të lehtë shitjen e prodhimeve të tyre.

Krejt në fund Abrashi iu garantoj banorëve se do t’i mbajë këto premtime dhe se do të merret vetëm me nevojat e banorëve dhe qytetarëve, pasi që Prishtina në katër vitet e fundit nuk e pati një kryetar të tillë.