(,,Zgjedhjet e qeta nuk nënkuptojnë edhe zgjedhje të lira dhe demokratike.”, Odri Glower, shefe e misionit të OSBE-ODIHR në Maqedoni)

Nga Abdulla Mehmeti

Rikthimi në pushtet i strukturave kriminale përmes zgjedhjeve vendore të radhës në Maqedoni, nënkupton rikthim të diktaurës, i krimit të organizuar, i proceseve të montuara politike, ekspeditave ndëshkuese policore dhe proceseve të montuara politike kundër shqiptarëve, sundimit më të egër diktatorial se më parë, kthim prapa nga progresi i arritur me shumë mund e skarifica deri më sot, rikthim i ndikimit serb dhe rus në Maqedoni dhe hakmarrje ndaj forcave demokratike reformuese me orientim perëndimor.

Puna më e vogël që duhet ta bëjnë qytetarët e Maqedonisë kësaj radhe, sidomos shqiptarët, me të gjithë potencialin e tyre politik, intelektual, mendor, fizik dhe financiar, duhet të vihen në shërbim të reformave demokratike në vend, sidomos për integrimin e vendit në strukturat euroatlantike.

Në Maqedoni nuk mund të ketë zgjedhje të lira dhe demokratike, por së paku, zgjedhjet lokale të radhës të jenë të qeta dhe pa tensione ndërpartiake dhe ndëretnike, kjo do të jetë në dobinë tonë dhe kjo i intereson për momentin edhe faktorit ndërkombëtar.

Shqiptarët në Maqedoni, në këto rrethana nuk mund të sigurojnë asgjë të dobishme nga zgjedhjet lokale të radhës, për shkaqet tanimë të njohura, meqë nuk mund ta kompensojnë njëherësh gjithë atë kohë, energji e kapital financiar të humbur gjatë 27 viteve të kaluara, as t’i fitojnë me një ,,hop” të gjitha të drejtat e mohuara dhe nëpërkëmbura deri më sot, me ndihmën edhe të faktorit politik shqiptar, por mund të krijojnë klimë të re politike për zgjidhjen e problemeve të tyre kryesore, hap pas hapi.

Sa më pak që të votohen kandidatët dhe partitë politike që kanë qenë një kohë të gjatë në pushtet në Maqedoni, sa më fuqishëm dhe pakompromis të kundërshohen ato politika jodemokratike dhe kundër interesave të shqiptarëve, aq më i shpejtë dhe i suksesshëm do të jetë procesi në hapat e radhës, duke i hapur rrugë përparimit dhe progresit të përgjithshëm në vend, sidomos për zgjidhjen e problemeve kryesore të shqiptarëve në Maqedoni.