Në një klimë shumë të tensionuar në Gadishullin Korean, presidenti i SHBA-së, Donald Trump, i cili do të zhvillojë në fillim të nëntorit një turne aziatik, nuk do të shkojë në zonën e çmilitarizuar që ndan dy koretë.

Një vizitë në zonën e çmilitarizuar, një prej zonave më të frikshme në botë, sipas përcaktimeve të Bill Clinton, është interpretuar gjithmonë si një mesazh i fortë nga ana e një presidenti amerikan, një simbol i lidhjeve të forta mes Uashingtonit dhe Seulit përballë Phenianit.

Ndryshe nga ajo që emri të lejon të mendosh, zona e çmilitarizuar mes dy koreve është kufiri më i militarizuar në botë.

Me vendodhje dhjetëra kilometra në veri të Seulit, ky rrip toke prej katër kilometra i gjerë dhe 248 kilometra i gjatë është i pajisur me barriera të elektrifikuara, fusha të minuara dhe mure antitank.

“Presidenti amerikan me shumë gjasa do të shkojë në kampin ushtarak Humphreys dhe do të jetë shumë e vështirë për atë të ketë kohë për t’i bërë të dyja”, theksoi sot një zyrtar i lartë amerikan.

“Gjithçka nuk është vendosur përfundimisht”, theksoi ai.

Trump do të shkojë në Seul më 7 dhe 8 nëntor në një kohë që komuniteti ndërkombëtar është i shqetësuar për vazhdimin e programeve balistike dhe bërthamore koreano-veriore dhe të përshkallëzimit verbal mes drejtuesit të Shtëpisë së Bardhë dhe liderit koreano-verior, Kim Jong-Un.