Së paku 13 persona janë vrarë, ndërsa 16 janë lënduar dje në tre sulme vetëvrasëse në qytetin nigerian Maiduguri, në provincën Borno në pjesën verilindore të vendit.

Sulmet i kryen tre gra. E para e aktivizoi rripin e saj shpërthyes në një restorant të vogël, duke vrarë disa nga vizitorët. Shumë shpejt pas saj edhe dy gratë e tjera vetëvrasëse detonuan, duke u shkaktuar lëndime të kalimtarëve.

Nigeria Veriore është nën presion të fuqishëm të grupit islamist Boko Haram. Rreth dy milionë qytetarë janë zhvendosur në luftimet mes armatës nigeriane dhe islamistëve, ndërsa së paku 20.000 persona janë vrarë në luftimet që po zhvillohen prej vitit 2009.