Presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor, do të përballet me balotazh më 12 nëntor pasi nuk arriti ta fitojë shumicën në rundin e parë të zgjedhjeve presidenciale të mbajtura dje. Pahor po tenton ta fitojë mandatin e dytë pesëvjeçar si president i Sllovenisë.

Me 99 për qind të votave të numëruara, sipas Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, Pahor i ka fituar 47.1 për qind të votave, transmeton Express.

Në balotazhin e muajit të ardhshëm, Pahor do të përballet me Marjan Sarec, kryetarin e komunës Kamnik, i cili fitoi 25 për qind të votave në rundin e parë.

Dalja në zgjedhje ishte 43.5 për qind.

“Gjithçka është e mundur në rundin e dytë, edhe pse Pahor është favorit i madh”, ka thënë redaktori i ueb-sajtit politik “Spletni Casopis”, Peter Jancic, për Reuters.

Edhe pse zyra e presidentit është kryesisht ceremoniale, presidenti e udhëheq ushtrinë dhe po ashtu i nominon disa zyrtarë të lartë, përfshirë guvernatorin e bankës qendrore. Shumica e të nominuarve duhet të konfirmohen nga Parlamenti.