Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka pritur sot në një takim Zëvendësndihmës Sekretarin Amerikan të Shtetit për Çështje Evropiane dhe E/uro-aziatike, Hoyt Brian Yee.

Siç bën të ditur zyra për informim e Kuvendit të Kosovës, në këtë takim është biseduar për punën e institucioneve të Kosovës në avancimin e shumë proceseve në vend, si dhe bashkëpunimin rajonal.

“Veseli theksoi se Kuvendi po vazhdon të kryejë obligimet kushtetuese dhe në të ardhmen do të intensifikojë punën e vet në shtyrjen përpara të shumë vendimeve të rëndësishme për qytetarët e Kosovës”, thuhet në njoftim.

Ai falënderoi Yee për fokusin që Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë treguar vazhdimisht për Kosovën.

Nga ana e tij, Zëvendësndihmës Sekretari Hoyt Brian Yee theksoi nevojën e përshpejtimit të agjendës evropiane për vendin dhe vlerësoi përkushtimin e Kosovës në përmbushjen e detyrave që ka./KosovaPrress/