Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, pasi votoi për zgjedhjet lokale, tha se Kosovën e presin shumë punë dhe se vetëm me punë, Kosova shkon kah zhvillimi dhe rritja e gjithmbarshme.

Ndërsa tha se kjo rritje kërkon rolin aktiv dhe votën e qytetarit.  I pyetur se me cilat dokumente duhet të votohet, ai tha se votohet vetëm me dokumente të Kosovës.

“Sot edhe unë e kreva obligimin qytetar së bashku me Anitën. Pra votuam për asamblenë komunale. Votuam për kryetar komune. I ftoj qytetarët e vendit të gjithë të dalin të votojnë. Kosovën e pret shumë punë, një pjesë  e punëve të rëndësishme ndodhin në komuna.  Janë me rëndësi komunat. Pra kryetarët e komunave, asambletë komunale.  Vetëm me punë mund të shkojmë  kah zhvillimi dhe kah rritja e gjithmbarshme e vendit. Dhe kjo rritje kërkon dhe rolin aktiv të qytetarit, pra votën e qytetarëve. Pra votoni të gjithë…Kosova  është republika e Kosovës dhe votohet me dokumente të Kosovës”, tha ai.

Edhe bashkëshortja e kryeministrit Anita Haradinaj u bëri thirrje qytetarëve që të votojnë, për ata që punojnë për ndryshimin e Kosovës.

“I ftoj dhe iu bëjë thirrje qytetarëve që ta shfrytëzojnë të drejtën  e tyre të votojnë, për kuvendet komunale, për kryetarët e komunave, për ata që punojnë për ndryshimin në Kosovë“, tha ajo./KosovaPress/