Në shtetet normale ndodh që një kryetar komune të bëhet ministër, por tek ne ndodhin çudira. Sipas ish ministrit, Nenad Novkovski dispozitat ligjore parashikojnë mundësinë që një ministër ta braktis këtë funksion në rast se emërohet në një post tjetër që është në interes të shtetit. Por kandidimi i një ministri, zv/ministri a ndonjë deputi për kryetar komune është jashtë të gjitha praktikave normale. Kjo sipas Novkovskit, është pasojë e klientelizmit brenda partive politike të cilat flijojnë interesat më të larta shtetërore për ato partiake.

Ajo që ndodh tani tek ne buron kryesisht nga klientelizmi që është shumë prezent. Kjo nuk është e zakonshme në pjesën më të madhe të shteteve në botë. Është e nevojshme që disi të rriten njerëzit partiak në vende të ndryshme të punës dhe këtë duhet ta sigurojë pushteti lokal, prandaj partitë i vënë resurset në funksion të këtij qëllimi, duke i shpërfillur kështu qëllimet kryesor- tha ish ministër i Arsimit Nenad Novkovski.

Në linjë të njëjtë është edhe profesori universitar, Sefer Tahiri.

Kandidimi i deputetëve, ministrave dhe bartësve të funksioneve publike për kryetarë të komunave dëshmon se partitë politike vazhdojnë të jenë grupacione të cilat janë në një farë mënyre në funksion të klaneve të caktuara brenda partive politike, të lidhura me liderin e partisë. Kjo nuk flet mirë për funksionimin e tyre, për demokratizimin e tyre meqë dëshmon se nuk ka demokraci brenda partiake, nuk ka mundësi për promovim të njerëzve të rinj në politikë- tha profesori universitar Sefer Tahiri.

Tahiri porositi kandidatët për kryetarë komunash të cilët aktualisht janë bartës të funksioneve të larta shtetërore që të japin dorëheqje. Ndërsa Novkovski porositi partitë të lejnë personat e aftë në pozitat që meritojnë./alsat-m