Kandidatura e Militie Halimit të LSDM-së për kryetare të Haraçinës, nuk do të lëkund koalicionin qeveritar LSDM-BDI. Zv.kryeministri Bujar Osmani tha për Alsat M se të gjitha partitë kanë të drejtë të nxjerrin kandidatë nëpër komuna, por nuk deshi të thotë nëse integristët do të mbështesin Halimin apo do të nxjerrin kandidat në Haraçinë.

“Është e drejtë e të gjitha partive politike të shpallin kandidaturat e tyre atje ku mendojnë se kanë çfarë të ofrojnë”- deklaroi Bujar Osmani, zëdhënës i BDI-së.

Osmani tha se janë në konsultime me disa parti politike për forma të ndryshme të bashkëpunimit në zgjedhjet lokale. Pa precizuar më konkretisht se me cilat parti bisedojnë, Osmani tha se marrëveshjet eventuale nuk do të nënkuptojnë bashkëpunim për të gjitha komunat.

“Ka konsultime me partitë tjera politike edhe në nivel qendror dhe por edhe ndërmjet strukturave të partive politike në nivel lokal. Për momentin ende nuk janë mbyllur këto bisedime edhe pse ka sinjale pozitive. Në përgjithësi ne si parti jemi të hapur për koalicion për përforcime të indit tonë, ideologjisë sonë. Por për t’i formalizuar të gjitha këto bisedime, duhet të presim edhe disa ditë”- shtoi Bujar Osmani.

Grupet e punës të Aleancës për Shqiptarët dhe Lëvizjes Besa do të vazhdojnë bisedimet të Hënën.

“Vazhdojnë konsultimet brenda partiake por dhe me partitë tjera. Deri më tani nuk mund të themi asgjë konkrete, bisedimet janë proces dhe në momentin që do kemi marrëveshje do ta bëjmë publike”- bëjnë me dije nga Lëvizja Besa.

“Bisedimet do të vazhdojnë pas festave. Vazhdojmë të jemi konstruktiv dhe parimor në interesa të gjetjes së mundësive më të mira, për interesin e qytetarëve. Pas përfundimit të negociatave do t’ju njoftojmë më tutje për epilogun e bisedimeve”- thonë nga Aleanca për Shqiptarët.

Nga PDDSH-jas e Thaçit thonë se nuk do të bashkëpunojnë me partitë shqiptare që janë në pushtet, që lë të kuptohet për një bashkëpunim të mundshëm me Lëvizjen Besa

“Vazhdojmë të mbetemi në të njëjtin qëndrim. PDSH deri më tani përveç Lëvizjes Besa nuk ka zhvilluar takim dhe biseda me asnjë parti tjetër shqiptare në pushtet. Bashkëpunim me partitë tjera nuk kemi”- thonë nga Partia Demokratike Shqiptare.

Deri tani vetëm BDI ka zyrtarizuar emrat e disa kandidatëve për kryetar Komunash. Në Çair integristët do të garojnë me Visar Ganiun, ndërsa në Kërçovë me Fatmir Deharin. Jozyrtarisht mësohet se në garë për të parin e Sarajit do të rikthehet ish ministri i drejtësisë Blerim Bexheti, në Tetovë Teuta Arifi do të kërkojë edhe një mandat, ndërsa në Gostivar BDI do të garojë me Nevzat Bejtën. Partitë tjera shqiptare akoma nuk kanë zyrtarizuar ndonjë kandidat, pos Aleancës për Shqiptarët të cilët ofruan mbështetje për Fatmir Deharin në Kërçovë. Zgjedhjet lokale në vend janë caktuar për më 15 tetor, ndërkaq partitë politike kanë afat për dorëzimin e listave të kandidatëve deri më nëntë shtator.