Mafia kontrollon tifozerinë e Juventusit dhe ushtron presione të vazhdueshme mbi klubin.

Ky është konkluzioni që del nga dokumentet e publikuara në gjykatën e Torinos, rreth procesit që njihet me emrin “Alto Piemonte” dhe që trajton raportet e mafias në veriun e Italisë.

“’La ‘ndrangheta’ (grup i organizuar kriminal) imponohet në grupimet e organizuara të tifozëve duke ushtruar një kontroll të mirëfilltë mbi ata që mbështetin Juventusin”, shkruhet në dokumente.

Andrea Agnelli, presidenti i Juventusit

Aty theksohet se janë bosët e mafias ata që japin urdhrat dhe që kanë arritur të krijojnë lidhjet për të kontrolluar shitjen në tregun e zi të biletave në “Juventus Stadium”.

Në aktet e gjyqit që është mbyllur më 30 qershor, zbulohen edhe detaje se si 3 “ambasadorë” kanë udhëtuar nga Kalabria në Torino për të zgjidhur çështjet problematike si emërimi i “administratorëve” të rinj të këtij biznesi fitimprurës të biletave që financonte krimin e organizuar.

Falë këtij hetimi, që përfundoi me dënimin për 7 vite e 9 muaj të Roko Dominielo dhe babait të tij Saverio, u dënua pak ditë më parë me një vit pezullim presidenti i Juventusit, Andrea Angelli.

Klubi bardhezi akuzohet se ka pranuar në heshtje tregun e zi dhe manovrat që bënin elementët e krimit të organizuar, për të evituar probleme me mafian, por duke shkelur njëkohësisht legjislacionin italian, pasi ishte në dijeni të ngjarjeve. /atsh/