Kryeministri Zoran Zaev sot u takua me ambasadorin e Bashkimit Evropian në Republikën e Maqedonisë, Smauel Zhbogar, kumtoi shërbimi qeveritar për shtyp.
“Ekziston optimizëm i madh në Bruksel se Maqedonia përfundimisht është e gatshme të shkojë përpara në interes të së ardhmes së qytetarëve dhe të shtetit. Republika e Maqedonisë e ka mundësinë më të madhe për sukses deri më tani për realizimin e qëllimeve strategjike euro-atlantike”, transmetoi ambasadori Zhbogar në takim me kryeministrin Zaev.
Kryeministri Zaev theksoi se Qeveria në mënyrë të fokusuar po e realizon Planin reformues 3-6-9 përmes politikave inkluzive në bashkëpunim me shoqërinë, po punon në përmirësimin e standardit jetësor të qytetarëve, si dhe në bashkëpunim miqësor, parimor dhe konstruktiv me fqinjët dhe me vendet anëtare të BE-së dhe të NATO-s.
“Qeveria e Republikës së Maqedonisë është e përcaktuar të sigurojë jetë cilësore të qytetarëve. Do t’i zbatojmë reformat e nevojshme dhe përmes politikave të ndërtimit të urave do t’i sigurojmë perspektivat euro-atlantike. Konsiderojmë se me të gjithë hapat politik që i bëjmë si Qeveri dhe si shtet, janë reale shpresat që Republika e Maqedonisë të marrë rekomandim të pastër dhe datë për negociata me BE-në, si dhe ftesë për anëtarësim në NATO”, tha kryeministri Zaev.
Në takim me euroambasadorin Zhbogar, kryeministri Zaev e konfirmoi përcaktimin e fuqishëm të Qeverisë për zgjedhje demokratike, të drejta dhe të rregullta lokale, që gjithashtu është përshëndetur nga Bashkimi Evropian.