Maqedonia dhe Izraeli së bashku janë në anën e paqes në botë, do ta intensifikojnë bashkëpunimin në shumë nivele midis së cilave edhe në ekonomi, porositën pas takimit të sotëm në Jerusalem kryeministrat e dy vendeve, Zoran Zaev dhe Benjamin Netanjahu.

“Shikojmë së bashku drejt një të ardhme më të mirë. I shqyrtojmë mënyrat dhe fushat ku mund të bashkëpunojmë në interes të njerëzve dhe të vendeve tona. Mësuam nga e kaluara si ta sigurojmë ardhmërinë. Izraeli është vend i zhvilluar teknologjik dhe do t’i ndihmojë Republikës së Maqedonisë”, tha Netanjahu. Kryeministri izraelit shprehu mbështetje për aspiratat euroatlantike të Republikës së Maqedonisë.

Kryeministri i Maqedonisë Zaev potencoi se Maqedonia dhe Izraeli janë shtete miqësore dhe se nuk kanë çështje të hapura. Shpreson në bashkëpunim me Izraelin në dy nivele, në siguri dhe paqe botërore, ajo për çka Izraeli, siç potencoi, është shembull i mirë në botë.

“Shpresojmë se përmes organizatave siç është NATO-ja, synojmë të jemi anëtare e NATO-s, se do të vazhdojmë të bashkëpunojmë, sepse kërcënimet nga radikalizmi dhe ekstremizmi janë të pranishme këtu në Izrael dhe në këtë rajon, por gjithashtu edhe për Maqedoninë dhe për rajonin e Ballkanit Perëndimor. Ne bashkëpunojmë në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes deri më tani dhe e di se do ta rrisim bashkëpunimin sepse është në interes të të gjithë qytetarëve dhe kombeve”, theksoi Zaev.

Theksoi se për Maqedoninë janë të rëndësishme përvojat e Izraelit në inovacionet dhe start ap bizneset, si dhe se Qeveria e re do t’i përdorë përvojat izraelite për jetë cilësore të qytetarëve të Maqedonisë.

“Kemi çka të mësojmë nga Izraeli, për zhvillim teknologjik dhe inovacionet, për start ap kompanitë, me qëllim që të hapim vende të punës për të rinjtë. Kjo është një prej çështjeve më të rëndësishme për një kryeministër dhe për një Qeveri”, theksoi kryeministri Zaev.

Ai e theksoi edhe përcaktimin e Qeverisë dhe të qytetarëve të Maqedonisë për respektimin e trashëgimisë kulturore të hebrenjve.

“Potencoj se Maqedonia me respekt të madh e ruan pasurinë kulturore të hebrenjve në shtetin tonë. E ruajmë kujtimin e viktimave nga Holokausti, me porosinë që asnjëherë të mos përsëritet. Në vitin 2011, u hap Qendra përkujtimore e Holokaustit të Hebrenjve të Maqedonisë, ndërsa nga viti 2015 në mënyrë aktive punohet ndaj ripërtëritjes dhe rehabitimit të plotë të varrezave hebraike në Manastir dhe ndërtimin e e Parkut përkujtimor”, theksoi kryeministri Zaev.

Është dakorduar thellim i bashkëpunimit ekonomik përmes vendosjes së programit për përsosmëri teknologjike dhe mbështetje për inovacione. Janë shqyrtuar mundësi, që inxhinierë, matematikanë, sipërmarrës nga Maqedonia të qëndrojnë në Izrael dhe të bashkëpunojmë me start ap firma në teknologjinë e lartë.

“U bisedua për investimet izraelite në Maqedoni, për takime më intensive të biznesit, si dhe për organizimin e forumit më të madh të biznesit, sipas mundësisë deri në fund të vitit, me qëllim të përforcimit të bashkëpunimit midis sektorit privat të dy shteteve. Gjithashtu janë shqyrtuar edhe kushtet për bashkëpunim të forcuar në bujqësi, përmes këmbimit të përvojave në teknologji dhe investime konkrete, në energjetikë, duke e pasur parasysh hidropotencialet dhe burimet e ripërtëritshme të energjisë të cilat i posedon Maqedonia, ndërsa Izraeli ka përvoja të mëdha në zbatimin e tyre, si dhe në sferën e turizmit. Në këtë drejtim u shqyrtua mundësia për linjë të drejtpërdrejtë ajrore në relacionin Shkup-Tel Aviv”, kumtoi pres shërbimi i Qeverisë së Maqedonisë.

Kryeministri Zaev në Izrael është i shoqëruar nga zëvendëskryeministrat Oliver Spasovski dhe Koço Angjushev, si dhe ministrat e Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi dhe i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Lupço Nikollovski.

Vizitën në Izrael do ta përfundojë me takim me liderin e opozitës, deputeti në Kneset, Isak Hercog.