Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri ka reaguar pas deklaratës së kandidatit për kryetar të Rahovecit, Visar Korenica për shtetin e Izraelit.

Ymeri ka shkruar në Facebook se statusi i Korenicës nuk paraqet qëndrimet e Lëvizjes Vetëvendosje dhe se ai ka thënë se deklarata e tij e ka dhënë nga zemërimi momental.

Postimi i plotë:

Statusi i Visar Korenicës i shkruar më parë për Izraelin, as nuk paraqet qëndrimet e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, as nuk është i drejtë dhe as i pranueshëm. Ai nuk përkon me konceptin politik të Lëvizjes, ky i fundit i bazuar në parimet e të drejtave universale të barazisë e bashkekzistencës paqësore mes popujve. Mospajtimi me politikën e caktuar shtetërore nuk guxon të eskalojë në thirrje për zhdukjen e një shteti. Secili popull ka të drejtën e tij ta organizojë jetën kolektive në liri e barazi, dhe assesi e asnjëherë duke ia cenuar këto të drejta një populli tjetër.

Visar Korenica i është bashkuar Lëvizjes VETËVENDOSJE! këtë vit me ç‘rast edhe ka kandiduar për kryetar të Rahovecit. Ka kërkuar falje dhe ka thënë që nuk mendon ashtu. Ka theksuar që deklaratën e tij e ka dhënë nga zemërimi momental dhe se ajo nuk paraqet qëndrimin e tij.

Kur të zgjidhet në këtë pozitë, ai do të ketë shumë punë për ta drejtuar komunën, për ta përmirësuar përkrahjen për bujqësinë, për të krijuar kushte të nevojshme e të domosdoshme për shëndetësi cilësore, e rend e disiplinë në shkolla. Fusha e politikës së jashtme dhe e marrëdhënieve ndërkombëtare mbetet çështje e institucioneve qendrore, të cilat në dhjetëvjeçarin e fundit kanë kontribuar drejtpërdrejtë në degradimin e tyre, duke u përpjekur njëkohësisht ta kamuflojnë këtë dështim përmes shpifjeve ndaj Lëvizjes VETËVENDOSJE!