Grupi Parlamentar ndërpartiak për të drejtat e personave me handikap nuk është trup klasik i Kuvendit siç janë, për shembull, komisionet e Kuvendit, këshillat parlamentare dhe të tjerat, por paraqet lobi-grup parlamentar, qëllimi i të cilit është të punojë në përmirësimin e kushteve për bashkëqytetarët tanë që janë me handikap, që edhe realisht të mund të ndjehen të barabartë me qytetarët e tjerë. Këtë e theksoi kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, Talat Xhaferi sot në seancën konstituive të grupit parlamentar ndërpartiak për të drejtat e personave me handikap.
“Të mos harrojmë se kjo është pjesë e të drejtave të përgjithshme të njeriut që janë pjesë e Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë. Shteti, por edhe të gjithë ne që jemi në politikë, kemi obligim të mundësojmë që çdo qytetar, çdo individ, t’i gëzojë në mënyrë të barabartë të drejtat e tij”, tha Xhaferi.
Kur bëhet fjalë për rregullimin normativ të të drejtave të personave me handikap, mendoj se kemi ligje të mira, që në masë të madhe i kanë zbatuar standardet evropiane.
“Jam i bindur se grupi juaj që do të formohet sot, do t’i shqyrtojë hollësisht ligjet dhe aktet tjera që e rregullojnë këtë problematikë dhe në bazë të kësaj analize, si dhe krahasimit me standardet e Bashkimit Evropian dhe zgjidhjeve ligjore në vendet-anëtare, do t’i propozojnë ndryshimet dhe plotësimet e veta. Pastaj, nëse nevojitet, do të propozojnë edhe miratimin e ligjeve të reja, pa pritur që këto të vijnë nga pushteti ekzekutiv. Unë si kryetar i Kuvendit, gjithsesi duke e respektuar Rregulloren, premtoj se çdo iniciativë e tillë do të vihet në rend dite, përkatësisht do të hyjë në procedurë ligjvënëse”, tha Xhaferi.
Theksoi se si shtet, qëllimi strategjik i të cilit është integrimi në BE, ne nuk guxojmë të lejojmë që personat me handikap të margjinalizohen në çfarëdo qoftë mënyre.
“Për fat të keq, madje edhe në Shkup, por edhe më tepër në brendësi, kemi shumë pengesa fizike reale që e vështirësojnë apo në përgjithësi nuk e lejojnë lëvizjen normale të personave që shfrytëzojnë karrocë invalidore. Flasim për kompjuter për çdo fëmijë megjithatë, së paku unë nuk kam dëgjuar, nëse secilit qytetari tonë me shikim të dëmtuar, pa dallim nëse bëhet fjalë për nxënës, student apo njeri i rritur, shteti i ka siguruar kompjuter të veçantë për personat me handikap të tillë”, tha kryetari i Kuvendit.
Në kontekst të kësaj pyeti nëse në organet e vetëqeverisjes lokale megjithatë edhe në institucionet shtetërore në përgjithësi ka të punësuar që e dinë gjuhën e shenjave të shurdhmemecëve dhe personave me dëgjim të dëmtuar.
“Jam i bindur se së bashku me sektorin joqeveritar si dhe me institucionet tjera shtetërore, do të bëni një hap të madh pozitiv në drejtim të përmirësimit të jetës së bashkëqytetarëve tanë me handikap. Gjithsesi se kjo është sfidë dhe përgjegjësi e madhe, por nëse të gjithë flasim për zbatimin e plotë të standardeve evropiane, atëherë nuk mund të lejojmë që një grup i qytetarëve realisht të mos munden t’i realizojnë të drejtat dhe liritë e tyre themelore të njeriut dhe kjo vetëm për një arsye, që kanë ndonjë handikap”, tha Xhaferi.