Ish-mesfushori i Barcelonës, Xavi Hernandez ka kritikuar politikën e transferimeve të katalanëve, duke theksuar se ata kanë mundur të transferojnë lojtarë më të mirë.

Sipas Xavit, Barça ende luan mirë, por kanë transferuar lojtarë që nuk i përshtaten sistemit, duke veçuar vetëm gjashtë futbollistë që sipas tij i përkasin ‘Camp Nou”, Andres Iniesta, Lionel Messi, Jordi Alba, Gerard Pique, Luis Suarez dhe Sergio Busquets.

“Ata kanë rënë në gjumë sepse 5 ose 6 vite më parë kishin lojtarët më të mirë në botë, që i përshtateshin sistemit të Barcelonës. Tani, për atë sistem, ata kanë vetëm gjashtë”, ka thënë Xavi.

Barça gjatë afatit kalimtar veror dështoi të transferonte brazilianin, Philippe Coutinho, pasi Liverpool refuzoi katër oferta të katalanëve, megjithatë ata kanë transferuar pesë lojtarë të tjerë, Ousmane Dembele, Paulinho, Nelson Semedo, Gerard Deulofeu dhe Marlon.