Rusia është tejet e shqetësuar nga deklaratat e presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës Donald Trump, i cili e ka vënë në pikëpyetje marrëveshjen bërthamore të Iranit. Moska dyshon se edhe vetë Uashingtoni ka mundësi ta ketë shkelur një traktat historik për kontrollin e armëve, ka thënë ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov.

Komentet e Lavrovit, të bëra para gazetarëve rusë në Kombet e Bashkuara në Nju-Jork, dhe të publikuara nga vetë Ministria ruse sot, ilustrojnë ndarjen e thellë mes Uashingtonit dhe Moskës në një varg çështjes dhe sugjerojnë se çfarëdo tentimi për t’i përmirësuar marrëdhëniet tashmë të dëmtuara do të duhet ta kalojë një bjeshkë të lartë, transmeton Express.

Duke iu adresuar Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së ditën e martë, Trump tha se pakti bërthamor i Iranit me gjashtë fuqitë botërore në vitin 2015, për ta frenuar programin e saj bërthamor në shkëmbim të lehtësimit të sanksioneve ekonomike, është turp për SHBA-në.

“Uashingtoni nuk mund ta pranojë një marrëveshje nëse ajo ofron mbulim për ndërtimin eventual të një programi bërthamor”, tha Trump.

Ndërkohë, Lavrov, vendi i të cilit është nënshkrues i kësaj marrëveshjeje, ka thënë se Rusia nuk pajtohet aspak me qëndrimin e Trump.

“Është tejet shqetësues. Ne do ta mbrojmë këtë dokument, këtë konsensus, i cili u arrit me ndihmën e tërë komunitetit ndërkombëtar dhe forcoi sigurinë rajonale dhe ndërkombëtare”, ka thënë Lavrov.

Ndërsa, kritikat më të ashpra të tij ndaj SHBA-së ishin rreth asaj që ai e cilësoi si shkelje të mundshme nga Uashingtoni të traktatit historik për kontrollin e armëve të vitit 1987, i cili ndalon raketat ruse dhe amerikane me rreze të mesme veprimi në tokë.