Në tubimin e mbajtur në Gjilan, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, e ka filluar fjalën duke kujtuar datën  7 qershor të këtij viti në Gjilan, që ishte dita e parafundit e fushatës për zgjedhjet qendrore, me ç’rast po mbahej tubimi përmbyllës në të njëjtën sallë ku po mbahej edhe sot.

“Atë ditë nuk na zuri kjo sallë. Dolëm në shesh para teatrit. Shihej qartë që në Gjilan kishim fituar. 4 ditë më pas u bë e qartë që në Kosovë kishim fituar As sot salla nuk po na zë. Edhe sot është e qartë që në Gjilan kemi fituar. Edhe më 22 tetor do të bëhet e qartë që kemi fituar në tërë Kosovën. Kundërshtarët po lodhen kot. Por nuk ka rëndësi, sepse edhe ashtu të lodhur kanë qenë dhe të lodhur kanë mbetë. Por Gjilani ka plot energji. E Sami Kurteshi është njeri i palodhshëm. Ashtu siç e do Gjilani. Kudo e kurdo që ka qenë i ka shërbyer kombit, përpjekjes çlirimtare, drejtësisë, barazisë”, tha Visar Ymeri para qytetarëve të Gjilanit, të mbledhur në Teatrin e këtij qyteti.

Duke folur për kandidatin për kryetar të kësaj komune, Sami Kurteshin, ai tha se më të u takuan në protesta, në ditët e kundërshtimit të demarkacionit e Zajednicës.

“Me të janë takuar gati secili në sheshet e Kosovës para se të takohen në zyrat e administratës. Te ne në Lëvizje erdhi bashkë me Shyhreten – çiftin që jam krenar që i njoh, e që bashkëpunojmë. Është një çift aktivistësh që tërë jetën ia përkushtuan përparimit të atdheut, vendit e komunës. Edhe kur Samiu ishte në institucione, aty ishte i popullit, Avokat i popullit. Deputet i popullit. Dhe tash do t’i shërbejë Gjilanit. Ashtu siç e kërkoni e e meritoni ju. E jo siç ka bërë Lutfi Haziri”, shtoi më tutje Ymeri.

Pasi përmendi dështimet e shumta të pushtetit aktual në këtë komunë, ai theksoi rëndësinë që ka komuna për të gjithë, duke shtuar se për këtë ajo nuk mund të lihet në duar të njerëzve si Lutfi Haziri, të cilin e quajti njeri të mjegullës e territ.

“Komuna është e tëra, politika, qytetari, ekonomia, shërbimet, publikja.  Aty të gjithë duhet t’i gjejnë mundësitë dhe mjetet për t’i përmbushur nevojat e tyre ekonomike, dhe për të jetësuar të drejtat e tyre politike, shoqërore e mjedisore. Mënyra se si e kanë bërë Komunën tregon se si e duan shoqërinë. Çfarë Komune përfytyrojmë tregon se çfarë shoqërie duam të jemi. Së bashku do ta ndryshojmë Komunën sepse duam ta ndryshojmë veten, do ta përmirësojmë Komunën sepse duam ta përmirësojmë jetën”, shtoi Ymeri.

“Prandaj më 22 tetor mendjen top e ftohtë, zemrën plot e ngrohtë, lapsin fortë në dorë, e dorën te numri 10, te Sami Kurteshi, te Lista e Lëvizjes, te e ardhmja e ndritur e Gjilanit. Duke e votuar numrin 10, e këta kandidatë, nuk keni votuar për përfaqësimin që ndan politikën prej qytetarit, sepse kryetari nga radhët tona, asamblisti ynë është përfaqësues  duke  qenë aktivist. Sepse për ne, demokracia nuk është thjeshtë rezultat numrash, por edhe numër aksionesh. Duke e votuar numrin 10 e këta kandidatë keni zgjedhur përparimin, barazinë, rregullin, pastërtinë, gjelbërimin, ambulantën, shkollën, mjekun, mësuesin, punën, bujqësinë, shërbimin, publiken. Keni zgjedhur Komunën. Vetëm duke e votuar numrin 10 keni votuar për Gjilanin”, përfundoi fjalën e tij, Visar Ymeri.