Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, ka hequr dorë nga kërkesa për mocion për votim të Qeverisë Haradinaj.

“Ju të PAN-it mësohuni me një parim elementar të demokracisë, mocionet votohen kur i paraqet parashtruesi, e jo kur dëshiron Kadri Veseli e as Lista Serbe”, tha Konjufca.

Ai shtoi se kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, e ndërpreu seancën për 15 minuta, ndërsa janë bërë 2 orë e gjysmë që nga ajo kërkesë për pauzë.

“Kjo është shkelje e demokracisë”, shtoi ai.

“E dyta, mocionin e paraqita me vetëm një qëllim, që ta demonstroj në mënyrë drastike varësinë e PAN-it nga Lista Serbe. Konsideroj se ky mocion e ka përmbush këtë qëllim. Kjo qeveri, edhe për të caktuar seanca, do ta kthejë kokën kah Beogradi që ta dëgjojë Gjuriqin. Në Këtë derexhe e keni sjell ju Kosovën. Tërhiqemi nga mocioni”, përmbylli fjalimin e tij Konjufca.