Vetëm një kandidat shqiptar do të garojë i pavarur në zgjedhjet lokale të 15 tetorit. Pas skadimit të afatit, KSHZ ka publikuar listën e kandidatëve të pavarur që do të garojnë në zgjedhjet lokale nëpër komunat e tyre.
Ndër ta është edhe Enver Pajaziti, kryetari i deritanishëm i komunës së Bërvenicës, i cili është rikandiduar për mandatin e dytë, por tanim si i pavarur, informon INA.
Ai në zgjedhjet e kaluara ka qenë në radhët e BDI, por pas përplasjeve me struktura partiake, braktisi radhët e kësaj partie.
Zyrtarisht për sa lista të pavarura të këshilltarëve dhe kandidatë për kryetarë të komunave do të votohet në zgjedhjet e caktuara për 15 tetor do të dihet pasi komisonet zgjedhore komunale do t’i konfirmojnë listat pas kontrolleve të domosdoshme. Sipas Afatit për zbatimin e Zgjedhjeve lokale 2017 të Komisionit shtetëror zgjedhor (KSHZ), listat e parashtruara nga ana e kandidatëve të pavarur dhe nga partitë politike, KSHZ duhet t’i konfirmojë më së voni deri më 14 shtator.
Zgjedhjet lokale janë caktuar për 15 tetor. Do të zgjidhen kryetarë komunash dhe këshilltarë në 80 komuna dhe Qytetin e Shkupit.