Vendimi i gjykatës evropiane të drejtësisë që detyron anëtarët e BE të pranojnë kuotat e emigrantëve sipas një plani të 2015s, duhet respektuar dhe implementuar sa më shpejt. Ky është qëndrimi i qartë i Gjermanisë, një prej hartuesve të planit të kuotave, dhe një mesazh për vendet rebele të bllokut.
“Ligji duhet implementuar dhe ata që nuk e bëjnë kërcënohen nga procedurat evropiane që mund të kushtojnë shumë para. Taksapaguesit evropiane nuk japin para që ligji të mos respektohet. Në Evropë është e papranueshme të marrësh para dhe të shkelësh sundimin e ligjit”, tha Sigmar Gabriel, ministër i Jashtëm i Gjermanisë.
Në të njëjtin kuadër, kolegu i Gabriel, ministri i brendshëm Thomas De Maiziere tha se Gjermani pret që pas vendimit, vendet e BE të marrin numrin e refugjatëve që i është caktuar dhe të sigurohen që emigrantët do të qëndrojnë aty. Por vendimi i gjykatës u kundërshtua me shpejtësi nga Polonia, e cila tha se nuk do ta respektojë.
“Ne e prisnim këtë vendim. Por ai nuk ndryshon aspak qëndrimin e qeverisë polake për sa i takon politikave për emigrantët. Besoj se edhe partnerët tanë të Visegradit kanë të njëjtin mendim”, tha Beata Szydlo, kryeministre e Polonisë.
Kreu i qeverisë polake foli pas kërcënimin gjerman dhe gjithashtu u vetofrua si zëdhënëse e Hungarisë, Sllovakisë dhe republikës ceke në këtë çështje, duke lajmëruar telashet e reja në horizontin e BE.