Kryeministri Zoran Zaev e vazhdon vizitën në SHBA ku më 22 shtator do të ketë fjalim në debatin e përgjithshëm të Asamblesë së Përgjithshme të KB-së në Nju-Jork.

Gjatë Asamblesë së Përgjithshme të KB-së, kryetari i Qeverisë do të ketë takim pune me sekretarin e përgjithshëm të KB-së, Antonio Guteresh, si dhe shumë takime tjera bilaterale.

Sipas agjendës së qëndrimit të Asamblesë së Përgjithshme të KB-së, kryeministri Zaev do të ketë takime edhe me kryetarin e Këshillit të Evropës, Donald Tusk, me përfaqësuesen e lartë për politikë të jashtme dhe siguri të BE-së, Federika Mogerini dhe me komisarin për zgjerim të BE-së, Johanes Han.

Vizita e punës e kryeministrit Zaev në KB dhe SHBA do të zgjasë deri të shtunën, ndërsa në përbërje të delegacionit qeveritar janë edhe ministri i Punëve të Jashtme Nikolla Dimitrov dhe ministri i angazhuar i Diasporës, Edmond Ademi.

Dje kryeministri Zaev mori pjesë në hapjen solemne të Asamblesë së Përgjithshme të 72-të të Kombeve të Bashkuara.

Delegacioni qeveritar dje në Nju-Jork kishte edhe takime me kryetarin e DBM-së Meto Koloski dhe me përfaqësues të Diasporës së Bashkuar Maqedonase, si edhe me kryetaren e Forumit për Maqedoni Demokratike, Makedonka Trajkovska.

Kryeministri Zaev, siç informojnë nga Kabineti i tij, në suaza të takimit ka mbajtur fjalim edhe para mërgimtarëve në pritjen e organizuar nga FMD, me qëllim të mbështetjes së përpjekjeve të Qeverisë për aktivizimin e diasporës në zhvillimin e Maqedonisë.

DBM dhe FMD, siç thuhet në kumtesë, kanë shprehur interes dhe mbështetje për aktivizim të diasporës në avancimin ekonomik të Maqedonisë, si dhe në hapjen e perspektivave euro-atlantike të shtetit. Përfaqësuesit e Forumit për Maqedoni Demokratike, kanë shprehur mbështetje për politikat e këtilla qeveritare dhe kanë vlerësuar se Qeveria e re reformuese në Maqedoni hap mundësi të mëdha për qytetarët në Maqedoni, si dhe për përfshirjen e diasporës.

Është biseduar për mundësinë për lehtësim të procedurës për nxjerrje të dokumenteve personale, për mundësim për mësim onlajn të gjuhës maqedonase.

Kryeministri Zaev mori pjesë edhe në pritjen e organizuar nga presidenti i SHBA-së Donald Tramp për inkuadrimin drejt deklaratës politike për reformën e KB-së, ku ka realizuar takim të shkurtër me presidentin amerikan.

Delegacioni qeveritar i kryesuar nga kryeministri i Maqedonisë u takua edhe me përfaqësues nga iniciativa Maqedonia 2025.