Në Komisionin kuvendor për Çështje evropiane sot vazhdoi debati për Projekt-ligjin për përdorimin e gjuhëve, në lexim të parë.
Deputeti i LSDM-së, Petre Shilegov vlerëson se ligji i propozuar do të sjellë homogjenizim, paqe dhe stabilitet në marrëdhëniet ndëretnike.
“Askush dhe me asgjë nuk do ta kufizojë përdorimin e gjuhës maqedonase me ligjin e propozuar për përdorimin e gjuhëve dhe kjo nuk do të ndodhë me asnjë gjuhë tjetër që është në përdorim në Republikën e Maqedonisë”, tha Shilegov.
Është shumë e papërgjegjshme, siç theksoi, të pohohet se në Berovë, Vinicë e Dellçevë do të kufizohet përdorimi i gjuhës maqedonase.
“Personat e përgjegjshëm të cilët kanë vendosur që jetën e tyre t’ia kushtojnë politikës duhet të kenë vizion për shtetin e tyre dhe krijojnë procese stabilizimi dhe mirëqenie politike në njëzetë vitet e ardhshme”, tha Shilegov dhe bëri thirrje që të mbështetet Ligji për përdorimin e gjuhëve.
Deputetja e VMRO-DPMNE-së, Nola Ismajllovska-Starova duke i replikuar deputetit Vesel Memedi nga RDK tha se gjatë gjithë kohës i përmendin vetëm shqiptarët. Në këtë kontekst pyeti se ku janë bashkësitë e tjera etnike në këtë Projekt-ligj.
Sipas saj, me këtë ligj nuk do të zvogëlohet, por do të thellohet hendeku midis bashkësive etnike, pasi që ky ligj u jep të drejtë vetëm shqiptarëve.
Deputeti Memedi në seancë dha propozim që të ndërrohet Kushtetuta dhe të gjithë qytetarët të gëzojnë të drejta të barabarta.
“Nëse ju si VMRO aq shumë kujdeseni për bashkësitë e tjera etnike, le t’i ndryshojmë Kushtetutën dhe karakterin unitar të shtetit dhe le të jenë të barabartë të gjithë qytetarët. Le ta ndryshojmë Kushtetutën dhe të gjithë qytetarët kështu do të jenë të barabartë”, shtoi Memedi.
Sipas tij, askush nuk duhet të ketë frikë nga ligji për përdorimin e gjuhëve.
“Bëhet fjalë për të drejtë universale dhe nuk duhet të mbillet frikë se shteti do të shkatërrohet nëse aprovohet ky ligj”, tha Memedi.