Kuvendi i Republikës së Maqedonisë sot në kuadër të mbledhjes së 15-të e vazhdoi debatin rreth Propozim-ligjit për përdorimin e gjuhëve në lexim të parë. Gjatë debatit rreth këtij ligji në mbledhjet plenare opozita i përsëriti qëndrimet e veta se ligji është jokushtetues, se me të shkelen procedurat dhe se zbatimi i tij do të çojë drejt dygjuhësisë në tërë shtetin. Me ligjin, akuzuan nga opozita, diskriminohen edhe bashkësitë më të vogla etnike. Konsiderojnë se kjo është marrëveshje politike para zgjedhjeve lokale.

Sipas deputetëve të VMRO-DPMNE-së, në Maqedoni ekziston Ligji për përdorimin e gjuhëve prej vitit 2008, që është ndryshuar në vitin 2011 dhe ai mund të ndryshojë në mënyrë që të avancohet përdorimi i gjuhës shqipe. Sipas shumicës parlamentare, ndërkaq, ligji është në pajtueshmëri me Kushtetutën, nuk e rrezikon karakterin unitar të shtetit dhe do të kontribuojë për rritjen e bashkëjetesës në shtet.