Nga numri i përgjithshëm i studentëve që kanë aplikuar në afatin e parë, 157 prej tyre janë pajisur me bursa meritore, të cilat i ndanë Universiteti i Evropës Juglindore. 

Janë regjistruar 405 studentë në afatin e parë në studimet deridiplomike (cikli i parë), në Universitetin e Evropës Juglindore (UEJL), në vitin e ri akademik 2017/2018. Sipas Zyrës për pranim të UEJL-së, vazhdon  të ketë interesim nga studentët e  rinj për të studiuar në të dy kampuset e UEJL-së, në Tetovë dhe Shkup. Po ashtu, Zyra e pranimit i ka shpallur rezultatet edhe për bursat, ku nga numri i përgjithshëm i studentëve, që kanë aplikuar në afatin e parë, 147 prej tyre janë pajisur me bursa meritore, të cilat i ndanë Universiteti i Evropës Juglindore.

Nga dita e djeshme është shpallur edhe afati i dytë i regjistrimit të studentëve, i cili do të zgjasë deri më 16 shtator 2017. Sipas analizave të bëra nga komisionet përkatëse dhe nga Ekipi Ekzekutiv i Rektorit, rezultatet e regjistrimit të studentëve i kanë plotësuar parashikimet për regjistrim në ciklin e parë të studimeve.

“Që tani mund të thuhet se është kompletuar pjesa më e madhe e grupeve studimore, të cilat do të funksionojnë në gjuhën shqipe, maqedonase dhe angleze. Risi këtë vit është edhe sistemi i tutorimit, ku secilit student, do t’i caktohet nga një tutor, që do të ndjekë ecurinë akademike dhe të karrierës së tij”, thotë Doc. Dr. Demush Bajrami, këshilltar ekzekutiv për komunikim në  UEJL.

UEJL ofron mundësi të ndryshme për studimi përmes programeve të ndtyshme për përkrahje financiare, ku përfshihen bursat, programi “Punë dhe studime”, si dhe lehtësime tjera financiare.

Në ciklin e dytë të studimeve, risi këtë vit janë programet e specializuara, të cilat janë hartuar në bazë të kërkesave të biznesit, me dndihmën e ekspertëve gjermanë,  ku tashmë ka filluar edhe paraqitja e kandidatëve, të cilët dëshirojnë të specializohen për vendet e tyre të punës.

Në këto programe tashmë, ka filluar paraqitja dhe sipas Zyrës për pranim, i kemi edhe kandidatët e parë dhe grupin e parë të krijuar.

Këtë vit, numri i profesorëve ndërkombëtarë, do të shtohet dhe secili program studimor, do të ketë të paktën nga një profesor ligjërues, i cili është emër i njohur në fushën e tij të studimit.

Në vitin e ri akademik në UEJL, pritet të regjistrohen rreth 1100 studentë në të dy ciklet e studimit, numër ky i përcaktuar në relacion me kuadrin dhe standardet ndërkombëtare, që ofron universiteti për raportin student-profesor.