Këngëtari legjendar Tupac Shakur ishte në dijeni për personin, i cili do ta vriste, por vdekja e tij mbeti mister për shkak se policia nuk bëri hetime, tregon një dokumentar i ri.

Tupac u vra më 7 shtator 1996 derisa po vozitej në Las Vegas. Shumë persona, përfshirë heroin e muzikës rap nga Nju-Jorku Biggie Smalls, aka Notorious BIG, ishin implikuar në vdekjen e tij.

Por, identiteti i vrasësit të Tupac vazhdon të mbetet mister, për shkak se policia nuk bëri hetime të mëtejme, shkruan TMZ.

Pohimet shokuese janë bërë nga shokët, familja dhe kolegët e biznesit të Tupac në dokumentarin dy orësh, i cili do të shfaqet më 10 shtator.

Të afërmit e Tupac thonë se vrasësi asnjëherë nuk është kapur dhe nuk është gjykuar, për shkak të mos veprimit nga ana e policisë.

Personi kryesor në mesin e të dyshuarve është Notorious BIG, ish-shok i Tupac.

Në vitin 1995, Tupac kishte pohuar se Biggie ishte në dijeni për një plan grabitjeje, i cili duket se rezultoi që Tupac të vritej.

Tupac kishte nënshkruar kontratë me shtëpinë West Coast’s Death Row, e cila ishte konkurrent kryesor i shtëpisë Bad Boy të Bigge, me bazë në Manhattan.

Tre muaj para vdekjes së tij, Tupac kishte lansuar këngën ‘Hit ‘Em Up,’ në të cilën pohon se kishte fjetur me gruan e atëhershme të Biggie.

Por, Bigge ka mohuar akuzat për vrasje, duke thënë se ai ishte i zënë me punë kur kishte ndodhur vrasja.

Një person tjetër i dyshimtë, i identifikuar në vitin 2002 nga hetimi i LA Times, ishte Orlando Anderson, anëtar i bandës Southside Crips.

Thuhet se Shakur së bashku me shokë kishin rrahur Anderson në të njëjtën ditë kur ndodhi vrasja.

Sulmi ishte kryer në shenjë hakmarrjeje ndaj Anderson dhe anëtarëve tjerë të Southside crips për mbajtjen rob të një punonjësi të Death Row Records më herët gjatë vitit.

Policët e Las Vegasit ndaluan hetimet, pasi që njëri nga shokët e Tupac kishte thënë se ishte dëshmitar i vrasjes, dhe nuk ndoqën dëshmitarin i cili mund të ketë  parë veturën e vrasësve, kishte shkruar LA Times.

Anderson, i cili ka hedhur poshtë akuzat, është vrarë në një qërim hesapesh mes bandave në vitin 1998.