Presidenti amerikan, Donald Trump, i shoqëruar nga bashkëshortja Melania, vizituan Teksasin për të dytën herë që pas kalimit të uraganit “Harvey” dhe këtë herë, në fokus të ndalesës së tij, ishin të prekurit nga përmbytjet.

Ata vizituan Hjustonin ku u takuan me të mbijetuarit e përmbytjeve dhe vullnetarët, për të vijuar më pas me liqenin Carls në Luiziana. Më herët, Trump e kishte shpallur të shtunën, ditë kombëtare lutjesh për viktimat e uraganit “Harvey”.

Uragani, preku tokën në këtë shtet një javë më parë duke shkaktuar përmbytje shkatërruese. Disa banorë janë lejuar të kthehen në shtëpitë e tyre por ujërat e përmbytjeve vazhdojnë të rriten në disa zona.

“Harvey” i ka marrë jetën deri më tani 47 personave dhe rreth 43 mijë të tjerë qëndrojnë në qendrat e përkohshme. Trump i ka kërkuar kongresit 7.8 miliardë dollarë,  shumë kjo që do të jetë një pagesë fillestare për të ndihmuar përpjekjet e rimëkëmbjes në Teksas dhe Luiziana.

Guvernatori i Teksasit, Greg Abott ka thënë ndërkohë se shteti do të ketë nevojë për më shumë se 125 miliardë dollarë ndihma.

Presidenti Trump dhe bashkëshortja Melania, vizituan Teksasin më herët këtë javë, por nuk iu afruan zonës së katastrofës duke thënë se nuk donin të devijonin burimet nga përpjekjet e shpëtimit. Sidoqoftë, presidenti u kritikua se nuk u takua me viktimat e përmbytjeve dhe se u fokusua kryesisht tek ligjistika e reagimit qeveritar.