Aktori amerikan, Matt Damon, në një intervistë për The Hollywood Reporter ka thënë se Donald Trump ka luajtur në shumë filma kur producentët kishin kërkuar që xhirimet të bëheshin në pronat e tij.

Njëherësh, presidenti aktual i SHBA-ve kishte kërkuar që të shkruhej skenar i posaçëm për rolin e tij.

Ai ka treguar se skena nga filmi “Home Alone”, në të cilën Kevin McCallister (që luhet nga Macaulay Culkin) hyn në hotelin Plaza në New York dhe e lut një njeri (që e luan Donald Trump) t’i tregojë ku ndodhet korridori, nuk ka qenë aspak në skenar.

“Trump është një ego-maniak, i cili gjithmonë kërkonte që për të të shkruhej një skenë”, ka thënë Damon.

Regjisori Martin Brest është dashur të përfshinte një skenë në “Scent of a Woman”, ku do të shfaqej kreu aktual i Shtëpisë së Bardhë.

“Kaluan një orë duke xhiruar një skenë palidhje, në të cilën Trump hynte dhe Al Pacino i thotë: ‘Përshëndetje zotëri Trump’ dhe ai del. Madje është dashur ta thërriste me emër”, ka treguar Damon.