Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka thënë sot se e ka marrë vendimin për ta tërhequr ose jo SHBA-në nga marrëveshje bërthamore e Iranit me fuqitë botërore, i cili u arrit në vitin 2015, por nuk ka treguar se cili është vendimi i tij.

“Kam vendosur”, ka thënë Trump para gazetarëve kur u pyet nëse e ka ndarë mendjen, pasi e kishte kritikuar akordin në bazë të të cilit Irani u pajtua ta frenojë programin e vet bërthamor në shkëmbim të lehtësimit të sanksioneve ekonomike, transmeton Express.

Duke iu përgjigjur komenteve të Trump, një zyrtar i lartë iranian ka thënë për Reuters se Irani është përgatitur për të gjithë skenarët nëse SHBA-ja e braktisë marrëveshjen dhe se është në gjendje t’i rinisë menjëherë aktivitetet e kufizuara bërthamore nëse është e nevojshme.

Zyrtarët amerikanë kanë dërguar sinjale të përziera rreth marrëveshjes bërthamore të arritur mes Iranit dhe gjashtë fuqive të mëdha, Britanisë, Kinës, Francës, Gjermanisë, Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara.

Gjatë fjalimit të djeshëm në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, Trump e quajti këtë marrëveshje të turpshme për SHBA-në.