Presidenti amerikan, Donald Trump deklaroi sot se e kishte marrë vendimin rreth përfshirjes amerikane në marrëveshjen ndërkombëtare mbi programin bërthamor iranian , por pa dhënë asnjë hollësi mbi këtë vendim.

“Kam vendosur”, përsëriti tri herë Trump kur u pyet nga gazetarët për vendimin.

Por, kur u pyet për hollësitë si tha vetëm se ”do t’ua them më vonë se çfarë vendimi është”.

Kohë më parë, Trump ka thënë se këtë vendim do ta bëjë publik muajin e ardhshëm.

Ndërkohë, sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson deklaroi SHBA-ja nuk do t’i qëndronte marrëveshjes për programin bërthamor iranian nëse janë futur ndryshime, sepse teksti duhet të rishikohet.

“Parregullsia më flagrante e marrëveshjes së arritur në vitin 2015 me fuqitë e mëdha është fakti se ajo ka një fund dhe vetëm shtyn problemin për më vonë”, theksoi ai për stacionin televiziv Fox News, në kuadër të Asamblesë së Përgjithshme të përvitshme të OKB-së.

Sipas tekstit, shtrëngimet mbi disa aktivitete bërthamore iraniane do të hiqen në mënyrë progresive dukenisur nga viti 2025.