Luna parku i ri i modernizuar ose parku i ri i lodrave në Shkup pritet të funksionojë në fillim të vitit të ardhshëm, ndërsa nëse lejon moti, mund të ndodh edhe më herët. Këtë sot e deklaroi kryetari i Qytetit të Shkupit, Koce Trajanovski, i cili së bashku me kryetaren e Këshillit të Qytetit të Shkupit, Irena Misheva, i vizituan punimet ndërtimore të projektit, i cili filloi të realizohet para tre muajve.

“Qyteti i Shkupit ka shpallur tender dhe e ka zgjedhur zbatuesin i cili para tre muajsh ka filluar të punojë në realizimin e aktiviteteve ndërtimore, respektivisht në instalimin nëntokësor ose infrastrukturë, që nënkupton kanalizimin e ujërave të zeza, kanalizimin atmosferik, kanalizimin e ujësjellësit dhe rrjetin elektrik nëntokësor. Gjithashtu kjo kompani, e cila është zgjedhur duhet të bëjë rregullimin e gjithë parkut, ku do të ndërtojë objekte për administratën, tualete dhe objekte të tjera, me ç’rast janë ndarë rreth 100 milionë denarë dhe presim të gjitha këto punë të përfundojnë deri në fund të këtij viti ose nga fillimi i vitit të ardhshëm”, ka thënë Trajanovski.

Kryetari i Shkupit tha se investimi i përgjithshëm për realizimin e këtij projekti, gjegjësisht për punimet ndërtimore, furnizimin e rekuizitave dhe montimin e tyre është rreth 400 milionë denarë ose rreth 6,5 milionë euro.

Me realizimin e këtij projekti kapital, qytetarët e Shkupit pas 44 vitesh do të bëhen me park të ri modern të lodrave.