Më shumë se 100 migrantë rezultuan të zhdukur pas mbytjes së anijes së tyre në perëndim të Libisë, theksoi zëdhënësi i marinës libiane duke cituar të mbijetuarit.

Sipas gjeneralit, Ayoub Kacem, të paktën shtatë të mbijetuar kanë qendruar në det para mbërritjes së forcave të shpëtimit.
Kacem nuk ishte në gjendje të jepte më shumë detaje për mbytjen, që ndodhi në brigjet e Sabrathas, që ndodhet në perëndim të Tripolit.

Ky qytet, që është një platformë për nisjen e migrantëve drejt Evropës, është skenë që prej të dielës e luftimeve të dhunshme mes grupeve të armatosura rivale.

Javën e kaluar, më shumë se 3 000 migrantë janë shpëtuar nga rojat bregdetare, ndërkohë që rreth 2 000 të tjerë kanë zbarkuar në Italin, sipas një bilanci të njoftuar nga burime zyrtare dhe media italiane.