Themelimin e ushtrisë së Kosovës, nuk do të mund ta bllokojë askush dhe nuk do të lejohet askush që të vendosë Veto mbi të, ka thënë presidenti i Kosovës Hashim Thaçi nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ai ka theksuar se kushtëzimet e Listët Serbe për këtë çështje asnjëherë nuk kanë qenë pjesë e negociatave, duke nënvizuar se çoftë përmes planit A çoftë përmes planit B, Kosova do ta ketë ushtrinë e vet deri në fund të këtij viti.

“Transformimi i FSK’së në Ushtri nuk është vetëm përgjegjësi e qeverisë. Tani jemi duke punuar të gjitha institucionet në këtë drejtim. Në do të kryejmë të gjitha obligimet që i kemi marrë karshi bashkësisë ndërkombëtare, që ky proces të përmbyllet përmes ndryshimeve kushtetuese”, ka thënë Thaçi në Rtv21.

Ai ka thënë se do të punohet shumë që këto ndryshimi të ndodh përmes kushtetueses, por  ka bërë me dije se kanë të drejt të veprojnë edhe me ligj.

“Ne nuk do të lejojmë që askush të vendos veto për këtë proces. Të gjitha çështjet do të kryhen në bashkëpunim me ndërkombëtarët”, tha Thaçi.

Thaçi është shprehur i bindur se krijimin e ushtrisë nuk do të mund ta ndalë askush.

Ai madje thotë se Kosova në fund të vitit do të këtë ushtrinë e vet.

“Nuk do të mund askush ta bllokojë. Për fat të keq është shtyrë për një kohë, por filloj procesi elektoral dhe kjo u shty. Por tani jemi duke punuar të koordinuar, unë jam i bindur që ky proces do te përfundoj. Besoj dhe jam i sigurt që brenda këtij viti Kosova do të këtë ushtrinë”, ka thënë Thaçi.