Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili po udhëheq një delegacion të Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara në Nju-Jork, ka takuar sot edhe mbretin Abdullah II të Jordanisë.

Presidenti Thaçi, i shoqëruar nga zëvendëskryeministri i parë i vendit, njëherësh ministër i Jashtëm, Behgjet Pacolli, i shprehu monarkut jordanez mirënjohjen e shtetit të Kosovës ndaj Jordanisë për mbështetjen e vazhdueshme për integrimin e Kosovës në bashkësinë ndërkombëtare dhe për marrëdhëniet e shkëlqyera bilaterale, bën të ditur në njoftim nga Presidenca.

“Kosova është e interesuar për rritjen e bashkëpunimit ekonomik dhe të shkëmbimeve tregtare me Jordaninë. Për këtë, propozojmë organizimin e një forumi ekonomik vjetor, që do të ishte një mundësi e mirë për bizneset e dy vendeve që të fillojnë kontaktet dhe të fuqizojnë këtë bashkëpunim”, ka thënë presidenti Thaçi gjatë takimit.

Thaçi theksoi se mbështetja e Jordanisë për anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare është shumë e rëndësishme.

I pari i vendit tha se iniciimi i nënshkrimit të marrëveshjes për mbrojtjen e investimeve dhe shmangien e tatimit të dyfishtë mes dy vendeve tona janë dy marrëveshje të rëndësishme që do të përforcojnë bazën ligjore ekonomike mes dy vendeve, thuhet në njoftim.

Në takim u diskutua edhe për bashkëpunimin në luftimin e terrorizmit, forcimit të bashkëpunimit në nivel të agjencive të inteligjencës dhe mes forcave të sigurisë për të shkëmbyer përvojat dhe informatat në luftën kundër terrorizmit.

Tutje, u tha se Kosova dhe Jordania janë dy shembuj të shkëlqyeshëm të harmonisë fetare dhe të promovimit të dialogut ndërfetar.