Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka takuar sot sekretarin e Shtetit për Punë të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, Boris Johnson.

I pari i shtetit thotë se ka pasur kënaqësinë që takimet në seancën e radhës të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara t’i fillojë me një takim me Sekretarin e Shtetit për Punë të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, Boris Johnson.

“E falënderova sekretarin Johnson për mbështetjen e fuqishme të Britanisë së Madhe për forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës.

Në këtë takim të shkurtër, mora konfirmimin për mbështetjen e plotë të Mbretërisë së Bashkuar për konsolidimin e brendshëm të Kosovës, për perspektivën e saj integruese euro-atlantike, për dialogun dhe normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë”, thotë Thaçi.

Sipas tij, sekretari Johnson uroi për themelimin e institucioneve të vendit.