Kjo është Vjollca Shkëmbi, 26 vjeçarja nga Pojani i Korçës, që në maj të vitit 2017 tentoi të vrasë me sopatë bashkëjetuesin e saj. E reja po hetohet nga Prokuroria për Krimet e Rënda na masën e sigurisë “arrest në burg” për akuzën e “vrasjes për shkak të marrëdhënieve familjare”, mbetur në tentativë. Paraditen e së hënës Shkëmbi paraqiti në gjykatë një kërkesë për lirim nga qelia. Avokati, Arben Peci, pretendoi se klientja e tij vuan nga probleme shëndetësore të hipertensionit dhe se qëndrimi në qeli mund t’i rrezikojë jetën. Ai kërkoi që 26 vjeçarja, nënë e një fëmijë të mitur, t’i nënshtrohet një akt-ekspertimi mjeko-ligjor, për të provuar pretendimet e saj. Gjyqtarja Liljana Baku pranoi kërkesën për verifikim të gjendjes shëndetësore dhe shtyu seancën për një datë tjetër, ku do të caktojnë një grup ekspertësh. Në dosjen e Prokurorisë thuhet se në 5 maj 2017, 26 vjeçarja tentoi të vrasë bashkëjetuesin 44 vjeçar me iniciale N. K. nga Maliqi. Ngjarja ndodhi në banesën e 26 vjecares. Ajo ishte larguar nga banesa e bashkëjetuesit për shkak të disa zënkave me të. Ditën e ngjarjes, Shkëmbi ka refuzuar kërkesën e kërkesën e 44 vjeçarit për t’u kthyer në shtëpi, ku edhe është dhunuar fizikisht prej tij. Në konflikt e sipër, ajo e ka qëlluar bashkëjetuesin me sopatë, duke i shkaktuar një plagë të lehta në trup, të parrezikshme për jetën.

Para kësaj ngjarjeje Vjollca Shkëmbi është lakuar publikisht në lidhje me një denonim të bërë prej saj në Policinë e Korçës për rrëmbim dhe shitje në Maqedoni për qëllime martesore kundrejt shumave 400-700 euro. Në një deklarim të dytë ajo e mohoi këtë fakt.