Banorët dhe autoritetet në juglindje të Teksasit janë duke u përgatitur për një kthim në gjendjen normale që do të nevojiten vite dhe mbase do të kushtojë me miliarda dollarë amerikan, përderisa Uragani Harvey të tërhiqet nga ky rajon.

Qytete të tëra janë zhytur nga ujërat e përmbytjeve. Autoritetet kanë thënë se mbi 37 mijë shtëpi janë dëmtuar, 7 mijë të tjera janë shkatërruar tërësisht, ndërsa mijëra të tjera pësuan dëme të vogla.

Kryebashkiaku i metropolit Houston, Sylvester Turner, për një media lokale tha se ai do të kërkojë të paktën 74 milionë dollarë ndihma financiare vetëm për të mënjanuar mbeturinat nga Uragani Harvey. Ai gjithashtu ka kërkuar nga Agjencia Federale e Menaxhimit të Emergjencave (FEMA) për personel shtesë për të ndihmuar në aplikimet e proceseve nga banorët që kërkojnë ndihmë.

“Ne kemi nevojë për një ushtri agjentësh të FEMA-s në terren për të ndihmuar njerëzit, jo vetëm për strehimore, por edhe njerëzit të cilët janë në shtëpitë e tyre, kështu që të mund t’u ofrojmë ndihma financiare që u nevojiten atyre dhe të mund të fillojë tranzicioni”, ka theksuar Turner.

Përafërsisht 1 në 10 ndërtesa janë të përmbytura vetëm në Houston. Qyteti dhe rrethinat e tij ishin goditur rëndë nga Uragani Harvey, pasi të premten e kaluar zbarkoi si një stuhi e “kategorisë së katërt” (Erëra me shpejtësi prej rreth 250 kilometra në orë).
Të paktën 47 persona humbën jetën si pasojë e stuhive, numër me gjasa në rritje, ndërkohë që vazhdojnë përpjekjet e kërkimit në zonat e përmbytura më parë. Autoritetet njoftojnë se mbi 72 mijë persona janë shpëtuar.

Edhe pasi Uragani Harvey humbet forcën dhe lëviz nga rajoni, një tjetër stuhi po shpërthen në Oqeanin Atlantik me potencial për të bërë dëme të mëdha.
Harvey është uragani i parë në “kategorinë e katërt” që godet Teksasin që nga viti 1961 e deri tani, ndërsa Katrina që ka shkaktuar dëmin më të madh në SHBA në vitin 2005 ka qenë efektiv në “kategorinë e tretë”.