Fushata zgjedhore e kandidatit për Kryetar komune në Gostivari, z. Nevzat Bejta ka vijuar në Lagjen e Sahatit. Në kontakt të drejtpërdrejt me qytetarët e Zonës, Bejta prezantoi planet për Gostivarin e nesërm.

“Jemi në lagjen e Sahatit dhe jam i befasur për të mirë nga mbështetja e banorëve të Zonës. Kjo mbështetje tregon mirënjohjen për punët e realizuara në të mirë të qytetarëve të Gostivarit. Të gjithë shprehin gatishmëri që ë 15 tetor përmes votës së tyre të përkrahin planet që kemi për Gostiarin që të gjithë e duam. Gostivari i sotëm do të dallohet me planet që kemi për Gostivarin e nesërm”, potencoi Bejta.

Sipas tij, prioritet në mandatin e ri do të jetë ndryshimi i ligjit për menaxhim me mbeturinat me çka përfundimisht do ta zgjidhim çështjen me Deponin Rusino si dhe do të ndërtojmë një kapacitet për riciklim të mbeturinave.

“Do të bëjmë ndërtimin e kontejnerëve nëntokësorë në pikat kyçe të qytetit. Do të bëjmë përfundimin e Projektit të fituar “Ujë për Gostivarin”, me mbështetje nga Qeveria e Zvicrës dhe Gjermanisë, dhe po ashtu organizimin e Transportit Publik në territorin e Komunës së Gostivarit. Do të kemi kënde lojërash për fëmijë në hapësira publike, si dhe do të bëjmë mbështetjen e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme. Po ashtu, rregullimin e infrastrukturës për persona me nevoja të veçanta”, theksoi Bejta duke folur për zhvillimin e qytetit.

Sa i përket lagjes së Sahatit, u përmend ndërtimi i kanalizimeve të ujërave të zeza dhe atmosferike në rrugën “SvetozarPeposki”, riasfaltimi i rrugës nga bulevardi “Vëllezërit Gjinoski” deri tek shkolla fillore “Goce Dellcev”, riparimi, instalimi dhe modernizimi i ndriçimit publik në qytet dhe vendbanime të tjera, dhe si pikë e rëndësishme edhe ndërtimi i çatisë në SH.F. Goce Delçev”.

Bejta takimet me qytetarët i vazhdoi edhe në Zonën e shtatë të qytetit.