Presidenti i Republikës së Maqedonisë Gjorge Ivanov sot e priti Kazujuki Nakane, ministër shtetëror i Punëve të Jashtme i Japonisë.

Në takim, siç kumtoi kabineti i presidentit, është shprehur kënaqësia nga zhvillimi pozitiv i marrëdhënieve bilaterale.

“Presidenti Ivanov theksoi se për thellimin e bashkëpunimit në të gjitha fushat për të cilat ekziston potencial i pashfrytëzuar nga të dyja palët, është i nevojshëm dialog i vazhdueshëm dhe më intensiv, takime dhe kontakte në të gjitha nivelet. Presidenti i Maqedonisë shprehu kënaqësi nga hapja e Ambasadës së Republikës së Maqedonisë dhe e përshëndeti ambasadoren e parë rezident të Japonisë Keiko Haneda”, theksohet në kumtesë.

“Pasi marrëdhëniet politike zhvillohen me sukses, pas hapjes së Ambasadës në Shkup presim bashkëpunim të forcuar ekonomik dhe interes më të madh të kompanive japoneze”, theksoi në takim presidenti Ivanov.

Në atë drejtim, presidenti Ivanov e përshëndeti edhe formimin e grupit parlamentar për miqësi midis Japonisë dhe Maqedonisë dhe shfaqi shpresë se bashkëpunimi i përforcuar parlamentar do të kontribuojë për interes të rritur të biznes bashkësisë japoneze për Republikën e Maqedonisë dhe volitshmërive që i ofron.

Në takim, dy bashkëbiseduesit shprehën interes për përparimin e përgjithshëm të bashkëpunimit të ndërsjellë të planit bilateral dhe multilateral.

Presidenti i Maqedonisë shfaqi pritje se së shpejti do të arrihet edhe Marrëveshje për bashkëpunim teknik, për të cilën beson se do të hapë dyer të reja të bashkëpunimit më të fuqishëm.

Në takim janë shqyrtuar edhe mundësitë për thellimin e bashkëpunimit në sferën e arsimit, me ç’rast është shprehur interes për rritjen e numrit të bursave për studentët e Maqedonisë.

Dy bashkëbiseduesit këmbyen mendime për prioritetet strategjike të dy vendeve, si dhe për gjendjet rajonale dhe ndërkombëtare.