Ambasada e Myanmar në kryeqytetin indonezian, Xhakarta, është sulmuar sot në mëngjes me koktej molotovi, njofton policia indoneziane.

Në objektin e ambasadës është shkaktuar një zjarr i vogël, i cili është fikur pak pas sulmit, transmeton Express.

Ky sulm vjen në kohën kur zemërimi është duke u rritur në vendin e Azisë Juglindore, shtëpi e popullsisë më të madhe myslimane në botë, me dhunën ndaj myslimanëve rohingya në Myanmar.

Një oficer i policisë e kishte vërejtur zjarrin në katin e dytë të ambasadës dhe më pas e kishte njoftuar policinë e cila ka dalë në vendin e ngjarjes dhe tash është duke i hetuar motivet e sulmit. Besohet se një person i panjohur e ka sulmuar ambasadën me koktej molotovi dhe ka ikur nga vendi i ngjarjes me makinë.

Ndërkohë, gjatë kësaj jave janë mbajtur protesta në qendër të Xhakartës, me dhjetëra njerëz të grupeve islamike dhe organizatave të aktivistëve që i kanë bërë thirrje qeverisë indoneziane të përfshihet në mënyrë aktive në ndaljen e dhunës ndaj myslimanëve në Myanmar.

Trajtimi i gati 1.1 milion myslimanëve rohingya në Myanmarin me shumicë budiste është sfida më e madhe e lideres Aung Sna Suu Kyi, e cila po akuzohet nga kritikët e Perëndimit se nuk po flet për pakicën myslimane e cila që një kohë të gjatë ankohet se po persekutohet.

Agjencitë humanitare vlerësojnë se rreth 73.000 myslimanë rohingya kanë ikur nga Myanmar në shtetin fqinj Bangladesh, që prej se dhuna shpërtheu javën e kaluar.