I ka ndodhur George W. Bushit: njëherë e ka ngatërruar Sllovakinë me Slloveninë. Njëherë nuk e ka ditur se banorët e Greqisë quhet grekë. E kundërta i ka bërë vaki Nicolas Sarkozyt: ai e ka ngatërruar Slloveninë me Sllovakinë.

Silvio Berlusconi njëherë doli para mediave dhe tha se ishte shumë i lumtur që e kishte takuar kryeministrin sllovak. Afër tij ishte kryeministri i atëhershëm slloven, Anton Rop.

Milan Kuçani, presidenti shumëvjeçar i Sllovenisë, ishte pritur në Bukuresht me himnin kombëtar të Sllovakisë.

Sllovakët dhe sllovenët shpesh zemërohen me ngatërrimin e shpeshtë jo vetëm të emrit të shteteve të tyre. Edhe flamujt kombëtarë të këtyre shteteve janë gati të ngjashëm. Që të dy kanë ngjyra horizontale bardh-kaltër-kuq. Flamuri slloven tregon tri maja malore alpine, tre yje dhe valë të kaltra – me këtë sllovenët duan t’i kujtojnë botës se kanë qasje në Detin Adriatik (rreth 30 kilometra).

Bajraku shtetëror sllovak tregon një kryq të dyshtë mbi tri kodrat e famshme të vendit, të cilat bartin emra të paharrueshëm: Tatra, Matra, Fatra. Të dy këto vende, pra Sllovenia dhe Sllovakia, nganjëherë ngatërrohen edhe me Sllavoninë, një rajon kroat në ku me Serbinë. Mbetet vetëm të sqarohet se ku gjendet vendi i quajtur Sllovani? Ndoshta kjo mbetet detyrë e protokolit të zyrës së presidentit të Kosovës, i cili dje priti ambasadorin e ri slloven.

Bojan Bertoncelj, kështu quhet diplomati nga Lubjana, i dorëzoi letrat kredenciale. Në takim me presidentin pas ambasadorit ishte vendosur – korrekt flamuri i Sllovenisë. Por, në një ambient tjetër, ndërsa ambasadori Bertoncelj shihet duke shkruar diçka në librin e përshtypjeve, para tij gjendej flamuri i Kosovës – dhe ai i Sllovakisë! Aty pranë qëndron gatitu një zyrtar i Kosovës me uniformë solemne. Mirë se erdhe, zoti ambasador i Sllovanisë! E.R.