Autoritetet ushtarake siriane kumtuan se aeroplanët izraelitë kanë kryer sulm ajror ndaj një baze ushtarake në territorin e Sirisë, me ç’rast janë vrarë dy ushtarë sirianë.

Ekspertët ushtarakë perëndimorë pohojnë se është sulmuar një lokacion i fabrikës për prodhimin e armëve kimike, derisa Qendra siriane për monitorimin e të drejtave të njeriut, me seli në Londër, pohon se bëhet fjalë për qendër hulumtuese të armatës siriane dhe për bazë me raketa “tokë-tokë”.

Në kumtesën e armatës siriane thuhet se aeroplanët izraelitë kanë gjuajtur raketa prej hapësirës ajrore të Libanit.

Forcat ushtarake izraelite të cilat deri më tani më shumë herë kanë kryer sulme të tilla ndaj territorit sirian, tani për tani, nuk e komentuan kumtesën e sirianëve.

Sulmi ka ndodhur vetëm 24 orë pas publikimit të raportit të KB-së për atë se aviacioni ushtarak sirian, në prill të këtij vitit, ndaj qytetit Han Shejhun, që ishte nën kontrollin e kryengritësve, hodhi bombë të mbushur me gazin sarin, duke shkaktuar vdekjen e tetëdhjetë civilëve.

Qeveria në Damask i hodhi poshtë akuzat e tilla, ndërsa presidenti Bashar al Asad pohimin për sulm me armë kimike e cilësoi si “fabrikim të pastër”.

Sipas Asadit, Siria që në vitin 2013, i ka shkatërruar armët kimike edhe atë nën kontrollin ndërkombëtar.