Kur dikush ka kushëri prej të cilit mund t’i huazojë 205 mijë euro, atëherë lumturia nuk ka fund. Kushërirë të këtillë ka gruaja e Ministrit serb të Mbrojtjes, Aleksandar Vulin.

Politikani nuk ka mundur ta dëshmojë posedimin e 205 mijë eurove me të cilat e ka blerë një apartament me tre dhoma në Beograd.

Ky fakt është shpalosur në raportin e Agjencisë Antikorrupsion, të publikuar nga Krik, pasi ministri ua kishte dërguar një letër duke thënë se halla e gruas që Kanadaja ia kishte dhënë atij dhe gruas, Natashës, një hua prej 205 mijë eurosh.

Vulin dhe gruaja e tij e kishin blerë një apartament tredhomësh në korrik të vitit 2012 në lagjen Zvezdara.

Kur u bë anëtar i qeverisë atë vit, Vulin u obligua ta paraqiste pronën dhe pasurinë e tij në Agjencinë Antikorrupsion, përfshirë edhe apartamentin e ri, për të cilin nuk kishte mbulesë ligjore sa i përket parave.

Pikërisht ky apartament e kishte bërë të dyshuar Vulinin, kur Agjencia i kishte kontrolluar informatat e siguruara dhe kishte gjetur që Vulin nuk kishte mjaftueshëm para të fituara për blerjen e tij.

Vulin së pari i kishte thënë Agjencisë se e kishte paguar këtë apartament nga shitja e pronës së tij të mëparshme, por shuma të cilën ai e kishte pranuar nga vëllai i tij nuk mund ta mbulonte shumën e paguar për apartamentin e ri.

Prandaj, Agjencia e udhëhequr nga drejtoresha Tatjana Babic, kërkoi një shpjegim nga ministri, i cili kësaj radhe e kishte ndryshuar tregimin.

Kësaj here Vulin deklaroi se ai dhe gruaja e tij i kishin huazuar 205 mijë euro nga halla e saj në Kanada, shkruan Kurir, përcjell Klan Kosova.

Si dëshmi ai e kishte dorëzuar një faturë  me nënshkrimin e gruas së tij, Natashës, që thoshte se ajo i kishte pranuar paratë dhe se afati i fundit për t’i kthyer ato para ishte pas dhjetë vjetësh.

Por, nënshkrimi i hallës nga Kanadaja nuk ishte aty.

Kjo copë letre nuk e kishte bindur agjencinë se Vulin po e tregonte të vërtetën. Nëse ai vërtet kishte marrë hua nga halla e gruas, atëherë ai ka qenë i obliguar që sipas ligjit ta deklarojë borxhin e tij, gjë që nuk e ka bërë. Ai kishte deklaruar se apartamenti ishte paguar në tërësi pikërisht në ditën pasi që ishte certifikuar kontrata.

Si provë ai e dërgoi një tjetër faturë, por ky dokument nuk ishte valid, pasi kishte nënshkrimin e një shitësit të apartamentit që jetonte në Marbella të Spanjës, mirëpo i mungonte numri i llogarisë në të cilën Vulin i kishte paguar paratë.

E tërë kjo ishte qenë e dyshimtë për agjencinë Antikorrupsion, andaj e kishin kontaktuar Doganën dhe Administratën për ta parandaluar shpëlarjen e parave.

Nëse dikush do t’i sillte 205 mijë euro kesh në Serbi, kjo nuk do të mund të kishte kaluar pa u vënë re. Sidoqoftë, nuk ka ndonjë shënim që ndonjë i afërm i Vulinit, përfshirë dhe hallën e gruas nga Kanadaja, ka dërguar para në Serbi.

Administrata për Parandalimin e Shpëlarjes së Parave, që regjistron transaksionet monetare, nuk ka informata që shuma e përmendur ishte paguar në llogaritë e shitësit, sipas raportit të Agjencisë, që transmetohet nga Krik.

Kjo agjenci ia kishte dërguar raportin Zyrës së Prokurorit për Krim të Organizuar, ndërsa procedura kishte mbetur në sirtar për dy vjet. Ajo u kompletua në fillimin e korrikut, ku nuk u gjet dëshmi që Vulin ka kryer ndonjë vepër penale.

Rasti ishte transferuar në Prokurorinë e Parë Themelore, e cila vetëm e verifikoi se a e ka deklaruar Vulin pronën në agjenci, dhe marrë parasysh që apartamenti ishte regjistruar, aplikacioni ishte refuzuar, ndërsa në mesin e muajit gusht rasti ishte mbyllur.

Kjo ngjarje është shndërruar në humor mes serbëve, pasi për çdo sasi të parave që nuk mund të arsyetohen tash thuhet: “M’i ka dërguar halla”.